Zëvendës kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit, Levent Bush në kuadër të Programit të Lidershipit për Vizitorët Ndërkombëtarë (IVLP) po qëndron në kryeqytetin e SHBA-së. Gjatë këtyre ditëve ai ka zhvilluar takime me zyrtarë të Departamentit të Shtetit të SHBA-së, sikurse edhe me përfaqësues të lartë të pushtetit lokal në Washington DC.
Buş ka bërë të ditur se në Departamentin e Shtetit ka zhvilluar një takim me përfaqësuesin e Zyrës për Kosovë dhe Evropë, Michael Marbel, si dhe me zyrtarin për Çështje Evropiane, Travis Lindeman. Krahas tyre ka zhvilluar edhe një takim me Genevieve Giaccardo, zv. drejtoreshë e Byrosë për Çështje të Komunitetit, për të diskutuar integrimin e komuniteteve dhe sfidat në këtë aspekt.
“Gjatë këtyre takimeve kemi diskutuar për marrëdhëniet dypalëshe, angazhimin ndërkombëtar të SHBA-së, integrimin e komuniteteve dhe sfidat që hasen në këto procese”, ka bërë të ditur Bush, raporton Telegrafi.
Buş ka theksuar se kjo përvojë ka forcuar bindjen e tij se dialogu dhe bashkëpunimi ndërkombëtar janë çelësi për ndërtimin e partneriteteve të qëndrueshme, me qëllim të adresimit të sfidave të përbashkëta.
“Shkëmbimi i ideve dhe përvojave është i domosdoshëm për të nxitur zhvillimin dhe përfshirjen e komuniteteve në procese vendimmarrëse”, është shprehur ai, raporton Telegrafi.
Njëherësh ka shtuar se kjo vizitë do të kontribuojë në forcimin e lidhjeve mes institucioneve lokale të Prizrenit dhe partnerëve nga ShBA-ja, duke hapur rrugën për iniciativa të reja në të ardhmen. /Telegrafi/