Zëvendëskryeministrja dhe ministrja në Qeverinë e Serbisë, Zorana Mihajloviq, ka thënë se “nga zyrtarët më të lartë të shtetit pritet që të përgjigjen me qetësi dhe urtësi ndaj provokimeve të Prishtinës”.
Komunikata nga zëvendëskryeministrja i është dërguar Presidentit, Tomsilav Nikoliq, dhe në titull thuhet se është një “reagim i ashpër ndaj Nikoliqit, sepse ai sulmoi Qeverinë serbe”, raporton agjencia serbe Tanjug.
Ministrija vuri në dukje se ajo nuk pret që presidenti Nikoliq “të akuzojë Qeverinë” që nuk ka kërkuar kthimin e trupave serbe në Kosovë.
“Ajo që nuk pres është që Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliq, të akuzojë Qeverinë e Serbisë, e cila nuk e ka kërkuar kthimin e trupave serbe në Kosovë. Sepse unë jam e bindur se Presidenti e di shumë mirë se pse ushtarët tanë nuk janë në Kosovë”, tha Zorana Mihajloviq, transmeton Express.
Ajo shtoi se nga Presidenti i Serbisë nuk pritet që të thotë se Qeveria e Serbisë do të hesht për vrasjen e mundshme të serbëve në Kosovë dhe se për shkak të kësaj, disa muaj para zgjedhjeve, kërcënon me dorëheqjen e tij.
“Nga të gjithë politikanët në Serbi, veçanërisht nga zyrtarët më të lartë të shtetit pres që nga provokimet që vijnë nga politikanët shqiptarë të Kosovës të përgjigjën qetë dhe urtë. Pres që të mos përdorin serbët e Kosovës në fushatat e tyre dhe me deklarata të kontribuojnë në qetësimin e tensioneve, të mos nxisin konflikte të reja”, vuri në dukje Mihajloviq.
Ajo theksoi se “politikanët në Serbi pritet që të sillen pikërisht si kryeministri Aleksandar Vuçiq, i cili i është përgjigjur provokimeve të shqiptarëve dhe parandaloi konfliktet në Kosovë, për ç’gjë ai është falënderuar nga Përfaqësuesja e Lartë të Bashkimit Evropian, Frederica Mogherini.
Sipas saj, “Qeveria e Serbisë është duke bërë gjithçka për të ruajtur paqen dhe stabilitetin dhe do të bëjë gjithçka për të ruajtur sigurinë e qytetarëve të saj në Kosovë dhe Metohi dhe për të parandaluar ndonjë konflikt, duke theksuar se ‘është e bindur se këtë e di shumë mirë Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliq’”.