Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani tha se ishte një “gabim serioz” i Perëndimit që lejoi vrasjen e ish-liderit libian, Muammar Gaddafi gjatë Pranverës Arabe të vitit 2011.
Tajani vuri në dukje se vdekja e Gadafit shkaktoi destabilitet në Afrikën e Veriut, raporton ansa.
“Ishte një gabim shumë i rëndë lejimi i vrasjes së Gadafit. Ai mund të mos ketë qenë një kampion i demokracisë, por me fundin e tij, paqëndrueshmëria politike erdhi në Libi dhe Afrikë”, tha kryediplomati, duke marrë pjesë në një forum veror në bregdetin verior të Toskanës.
Ai shtoi se falë marrëveshjeve me Muammar Gaddafin, Italia arriti të ndalojë flukset e migracionit dhe se situata është shumë më e qëndrueshme.
“Ai ishte padyshim më i mirë se ata që erdhën pas tij. Pas tij erdhi terrorizmi, Vëllazëria Myslimane”, tha Tajani.
Ju kujtojmë se Muammar Gaddafi ishte lideri afatgjatë i Libisë, i cili u rrëzua gjatë Pranverës Arabe në vitin 2011.
Pas kapjes së tij, ai u likuidua në një mënyrë jashtëzakonisht brutale. Me vdekjen e tij, Libia u përfshi nga një valë luftërash civile që janë ende në vazhdim. /Telegrafi/