Site icon Telegrafi

Zëvendëskryeministri i parë dhe turpi i Shqipërisë: Patrioti dhe luftëtari i harruar i pavarësisë (Foto)

Dom Nikollë Kaçorri u lind në fshatin Krejë të Lurës, në vitin 1862. Ai ishte zëvendëskryeministri i parë i Shqipërisë, në Qeverinë e Ismail Qemalit.

Pos veprimtarisë si prift katolik, ishte patriot që kishte marrë pjesë në Kongresin e Manastirit e atë të Elbasanit, ishte anëtar i shoqërive të rëndësishme të kohës, “Vllaznia” e “Bashkimi”, si dhe organizator i kryengritjes anti-otomane për pavarësinë e shqiptarëve.

Kaçorri ishte bashkëpunëtor i Abdi bej Toptanit dhe Mustafa Merlikës (Krujës), të cilët njëjtë si ai ishin nënshkrues të Dokumentit të Pavarësisë së Shqipërisë, shkruan Telegrafi.

Me rastin e shpalljes së pavarësisë, më 28 nëntor 1912, ai thotë: “Në qoftë për nesër, vdesim sot, o flamur o dekë”!

Më 29 maj 1917 vdes në Vjenë, ku kishte shkuar për t’u shëruar nga mushkëritë. Me vdekjen e Kaçorrit harrohet edhe vepra e tij, sidomos gjatë kohës së komunizmin. Por, ai edhe sot nuk e ka respektin e merituar.

Eshtrat e këtij patrioti u riatdhesuan më 2011. Por, shteti shqiptar nuk organizoi ceremoninë e rivarrimet. Ndërsa, edhe sot, më 2017 Shqipëria nuk ia jep nderet që meriton në prej arkitektëve të pavarësisë së shqiptarëve.

Kjo ka bërë që ndaj kësaj të reagojnë në profilet e tyre në Facebook, Pjetër Logoreci (nipi i Mati Logorecit që hapi shkollën e parë shqipe në Prizren) dhe studiuesi Bajram Mjeku.

“Zëvendëskryeministri i parë dhe turpi i shtetit shqiptar

Sot gjashtë vjet, falë përkushtimit të Pjetër Logorecit, u riatdhesuan eshtrat e Imzot Nikollë Kaçorrit, zëvendëskryeministrit të parë në Qeverinë e Ismail Bej Vlorës dhe arkitektit të shtetit shqiptar.

Imzot Nikollë Kaçorri u varros në maj të vitit 1917, në varrezat qendrore në kryeqytetin e Perandorisë Austro-Hungareze në Vjenë.

Kur eshtrat e Imzot Nikollë Kaçorrit pas 94 vjetësh mbërritën në atdhe, shteti shqiptar as organizoi pritjen, as ceremoninë e rivarrimit. Më keq se kjo, në riatdhesimin e eshtrave të Imzot Kaçorrit, nuk morën pjesë as deputetët e Durrësit, derisa shteti austriak i hoqi të gjitha shpenzimet për riatdhesimin e eshtrave të këtij kolosi të madh!

Imzot Nikollë Kaçorri u rivarros në Kishën e Shën Luçisë në Durrës, ku shërbeu një kohë të gjatë.

Miku im i mirë Pjetër Logoreci, i cili shihet në fotografi gjatë procesionit të zhvarrimit, jeton dhe punon në Vjenë. Është nip i Mati Logorecit, i cili në vitin 1889 hapi shkollën e parë shqipe në Prizren”, ka shkruar Mjeku.

Ndërkaq, Logoreci vazhdon ta quaj fatkeqësi kombëtare e faqe të zezë që ndere nuk i dhanë as deputetët e Durrësit, qytet ky ku sot gjendet varri i tij. /Telegrafi/

Lexo po ashtu Ekskluzive: Shkolla e Prizrenit, nisma e emancipimit të shqiptarëve të Kosovës (Dokument)
Lexo po ashtu Shpallja e Pavarësisë: Ngjarjet sipas kronologjisë

Exit mobile version