Zv.kryeministri përgjegjës për çështje evropiane, Bujar Osmani, nga nesër për vizitë pune do të qëndrojë në Republikën e Estonisë, ku do të realizojë takim me Ministrin e Punëve të Jashtme të Estonisë, Sven Mikser, me të cilin do të diskutojnë për prioritetet e Presidencës Estoneze me Këshillin e Bashkimit Evropian deri në fund të vitit, politikën e zgjerimit si dhe procesin euro- integrues të Republikës së Maqedonisë.
Gjatë vizitës Osmani do të realizojë takim edhe me Kalen Jarac, Drejtor në zyrën për çështje evropiane në Qeverinë e Republikës së Estonisë, me Tomas Vitsut, Kryetar i Komisionit për çështje evropiane në Parlamentin Estonez, si dhe me Erik Nils Kros, Kryetar i grupit parlamentar mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Estonisë.
Tema e këtyre bisedimeve do të jetë bashkëpunimi bilateral, bashkëpunimi rajonal, zgjerimi i Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor si dhe avancimi i marrëdhënieve të ndërsjella të Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Estonisë.
Pas përfundimit të vizitës në Republikën e Estonisë, Osmani do të udhëtojë në Bruksel, dhe do ti bashkohet delegacionit të udhëhequr nga kryeministri Zoran Zaev, ku do të realizojnë sërë takimesh me përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian./Telegrafi/