Site icon Telegrafi

Zëvendëskryeministri Halili pjesë e konferencës shkencore të UT

Zëvendës kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Festim Halili, sot ka marrë pjesë në hapjen e Konferencës së parë shkencore ndërkombëtare: “Trendet Bashkëkohore të Shkencave Mjekësore dhe Dinamika e Zhvillimit të Mjekësisë Moderne”, organizuar nga Fakulteti i Shkencave Mjekësore të Universitetit të Tetovës dhe Fakulteti i Mjekësisë së Universitetit të Trakisë, transmeton Telegrafi Maqedoni.

“Është e një rëndësie të madhe që kjo konferencë për së pari herë organizohet këtu në UT, universitet ky që me vite edukon dhe arsimon kuadro të reja të profileve të ndryshme. Edhe Fakulteti i Mjekësisë me vite të tëra nxjerrë kuadro që sot me nder dhe me profesionalizëm të madh kryejnë detyrën e mjekut, që është e një rëndësie të madhe”, ka thënë Halili, duke shtuar se mbështetja ndaj UT-së nuk do të mungojë.

“Dëshiroj të theksojë se mbështetja e Qeverisë ndaj Universitetit të Tetovës, përshirë këtu Fakultetin e Mjekësisë nuk do të mungojë. Do të vazhdojmë angazhimin tonë për mbështetje pa rezervë dhe me modernizimin e kushteve për punë të studentëve të këtij drejtimi por edhe drejtimeve tjera”, ka thënë zëvendëskryeministri Halili.

Siç thekson ai, zhvillimi i mjekësisë, viteve të fundit ka marr një hov të madh dhe ritmet e shpejta dhe niveli i lartë i zhvillimit të mjekësisë në botë ka zgjeruar fushën e ndërhyrjes së mjekësisë, më shumë në parandalimin, por edhe në trajtimin e sëmundjeve duke studiuar ndikimin e kushteve mjedisore, stilin e jetës apo gjendjen sociale të pacientit.

Në fund ai ka theksuar se organizimi i kësaj konference është më shumë se e dobishme për shkencën e mjekësisë dhe se jep një kontribut për zhvillimin e gjithmbarshëm të shoqërisë./Telegrafi/

Exit mobile version