Agjencia Kundër Korrupsionit ka publikuar deklarimin e pasurisë nga zyrtarët e shtetit.
Në mesin e shumë zyrtarëve deklarimin e pasurisë e ka bërë edhe zëvendëskryeministri, Fatmir Limaj dhe Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj.
Nga ajo që kanë deklaruar shihet se Limaj dhe Lekaj kanë detyrime financiare ndaj personave juridikë dhe fizikë.
Zëvendëskryeministri Limaj ka 40 mijë euro kredi në bankën “Raiffesien Bank”, të cilat i ka marrë për rregullimin e shtëpisë në kohëzgjatje për 10 vite, shkruan Telegrafi.
Kurse ministri Pal Lekaj ka 75 mijë euro kredi në bankën “BKT Bank”, të cilat ka deklaruar se i ka marrë për blerjen e një banese 87 metra katror në Prishtinë. Këtë kredi Lekaj e ka marrë në vitin 2016 me kohëzgjatje prej 10 vitesh.
Nga pasuria e paluajtshme Fatmir Limaj ka deklaruar se posedon një banesë 68 metra katror në vlerë prej 70 mijë euro, shtëpi banimi 300 metra katror në vlerë prej 250 mijë euro dhe tokë 13.10 hektar në vlerë prej 500 mijë euro, të gjitha këto pasuri familjare.
Ministri Pal Lekaj ka deklaruar se posedon shtëpi 360 metra katror në vlerë prej 280 mijë euro dhe 3 hektarë tokë në vlerë prej 1 milion e 500 mijë euro, po ashtu tri vetura të tipit BMW525 F10, Mercedes dhe Audi A21 që kapin shifrën e 47 mijë eurove.
Paga vjetore e zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj është rreth 1 mijë 356, kurse e ministrit Pal Lekaj është 14 mijë euro, ndërsa mëditja e tij sipas deklarimit është 1 mijë e 459 euro. /Telegrafi/