Telegrafi

Zëvendësi serb i Mustafës kërkon edhe më shumë tokë për Manastirin e Deçanit

Zëvendëskryeministri i Kosovës Branimir Stojanovq thekson se me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese është dëmtuar Manastiri i Deçanit.

Stojanoviq, siç transmeton televizioni publik në gjuhën serbe, ka thënë se janë edhe disa parcela toke që i kërkon Manastiri , ndërsa protestën e deçanasve e konsideron thirrje për shkaktim të destabilitetit, përcjell Koha.net.

“Aktvendimi nuk ka lidhje me konfirmimin e marrë në vitin 1999, e ndoshta është në modë që organizatorët e protestës të thirren në diçka që i motivon njerëzit për të dalë në protestë. Tashmë ekziston marrëveshja ndërmjet UNMIK-ut dhe Kishës nga viti 2012. Këto aktivitete, për mua, janë vetëm thirrje për shkaktim të destabilitetit”, ka thënë Stojanoviq.

Prona e Manastirit, sipas këtij mediumi, është konfiskuar pas Luftës së Dytë Botërore e me vendimin e Qeverisë së Serbisë i është kthyer në vitin 997.

Pas luftës në Kosovë në vitin 1999, autoritete vendore ia kontestojnë të drejtën Manastirit për ta pasur këtë pronë.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 21 maj të këtij viti i dha fund kontestit disavjeçar në favor të manastirit të Deçanit dhe konfirmoi pronësinë e tij ndaj 24 hektarëve tokë.