Zëvendësdrejtori i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Latif Merovci nuk i është përgjigjur ftesës së Komisionit për mbikëqyrjen e AKI-së për të raportuar lidhur me rastin e arrestimit dhe deportimit të gjashtë shtetasve turq.
Zëvendëskryetare e parë e Komisionit, Ganimete Musliu tha se ka marrë një shkresë nga AKI-ja ku njoftohen se AKI nuk do të mund të marrë pjesë në mbledhjen e Komisionit.
“Po ju shkruaj lidhur me ftesën e dërguar… Me gjithë respektin për Komisionin për shkak të angazhimeve është e pamundur pjesëmarrje në takim…”, shkruhet ndër të tjera në shkresën e AKI-së ku arsyetohej mospjesëmarrja në mbledhjen e Komisionit.
Musliu tha se nuk kanë nevojë për respektin e AKI-së pasi janë Komision parlamentar, por rikujtoi se anëtarët e Komisionit për mbikëqyrjen e AKI-së e kanë nënshkruar një deklaratë dhe se nuk përbëjnë aspak rrezik apo ndërhyrje në punën e AKI-së. /Telegrafi/