Telegrafi

Zëvendës-shefi i Hezbollahut zotohet se grupi militant është gati për një operacion të mundshëm tokësor të IDF-së në Liban

Zëvendës-shefi i Hezbollahut, Naim Qassem, po jep fjalimin e tij të parë që kur lideri i grupit u vra në një sulm izraelit gjatë fundjavës.

Ai thotë se organizata humbi një vëlla dhe një udhëheqës kur u vra Hassan Nasrallah, transmeton Telegrafi.

Pavarësisht kësaj, dhe humbjes së komandantëve të tjerë, ai thotë se grupi militant po vazhdon rrugën e tij kundër Izraelit.

Në vazhdim, ai thotë se do të vazhdojë të ndjekë të njëjtën komandë dhe strukturë si Nasrallah.

“Ne nuk do të lëvizim asnjë centimetër nga pozicioni ynë në mbështetjen e Gazës dhe Palestinës dhe mbrojtjen e Libanit dhe popullit të tij”, shtoi ai.

Ai paralajmëroi se nëse Izraeli dëshiron të nisë një pushtim tokësor në Liban, luftëtarët e tij janë të përgatitur dhe gati.

“Ne jemi të bindur se armiku izraelit nuk do t’i arrijë qëllimet e tij”, shtoi ai.

“Ne e dimë se beteja është e gjatë dhe opsionet janë të hapura për ne dhe jemi gati që armiku të hyjë nga toka, pasi forcat e rezistencës janë gati për përballje tokësore”, theksoi Qassem.

Ai akuzon Shtetet e Bashkuara se mbështet Izraelin në kryerjen e “masakrave” me “mbështetje të pakufishme”.

Qassem përmend gjithashtu emërimin e zëvendësuesit të Nasrallah, duke thënë se do të bëhet në “mundësinë më të parë”. /Telegrafi/