Zëvendëspresidenti i Barcelonës, Jordi Cardoner, ka përsëritur fjalët e presidentit Josep Maria Bartomeu në lidhje me rikthimin e mundshëm të Neymarit në Camp Nou.
Sulmuesi brazilian ka disa javë që ka bërë të ditur dëshirën e tij që të largohet nga Paris Saint-Germain, mirëpo rikthimi i tij në La Liga është i komplikuar.
Cardoner ka thënë se ata nuk janë tashmë të interesuar në rikthimin e brazilianit në Camp Nou, pasi tashmë kanë disa opsione në fazën ofanzive.
“Presidenti e tha, nuk jemi të interesuar për Neymarin. Ajo gjë nuk ekziston dhe ne jemi të lumtur me lojtarët që kemi në skuadër”, ka thënë ai në një intervistë për FutbolNet.
“Është e vërtetë që ka pas shumë zëra këto ditë se ai mund të rikthehet këtu, mirëpo ne tashmë e kemi sqaruar se nuk jemi duke bërë ndonjë lëvizje”, ka shtuar më tej Cardoner.
Dje u raportuar se PSG është duke kërkuar nga Real Madridi Gareth Balen dhe para për ta lënë të lirë Neymarin që të kalojë në Santiago Bernabeu. /Telegrafi/