Telegrafi

Zero tolerancë për oligarkinë

Kryeministri Berisha deklaroi se qeveria e tij do të përdorë zero tolerancë ndaj asaj që e quajti oligarki dhe oligarkë. Fjala është për shërbimin e transaksioneve bankare dhe shërbimit celular në vend ofruesit e të cilave sigurojnë në Shqipëri, prej çmimeve disa herë më të larta se vendet e pasura në Evropë, fitime të jashtëzakonshme.

Sipas kryeministrit Berisha, transaksioni bankar në Europë e ka çmimin zero, ndërsa në Shqipëri paguhet shumë shtrenjtë. Po sipas tij edhe pse qytetari shqiptar e përdor celularin 17 për qind më shumë se mesatarja europiane, ai paguan për të çmime 2-3 herë më të larta se Austria.

Kryeministri Berisha tha se mjeti me të cilin qeveria do të mbrojë konsumatorin do jetë taksimi i fitimit të këtyre kompanive që pastaj, po sipas Berishës, do të sjellë më shumë shkolla e spitale në vend.

Analisti i ekonomisë, Fatos Çoçoli duke folur për BBC-në thotë se edhe pse e vonuar, ndërhyrja e qeverisë është e mirëpritur dhe në interes të konsumatorit. Ai shton se kjo ndërhyrje me anë të taksimit të fitimit nuk është një masë kundër lirisë së tregut, por për lirinë e tij. /Telegrafi/