“Në Kosovë kam arritur shumë suksese, të cilat dua sërish t’i përsëris në të ardhmen. Synimet e mia nuk përfundojnë këtu, pasi dua suksese edhe në arenën ndërkombëtare. Pse mos të fitoj medalje në Kampionatin Evropian që mbahet këtë vit dhe në Kampionatin Botëror që mbahet vitin tjetër”, ka thënë Zeqiri për “Epokën e re”.
Por, për t’i arritur katro synime nuk është aq punë e lehtë, pasi kërkohet edhe ndihmë financiare për t’i zhvilluar përgatitjet. “Normalisht se me duhet të përgatitem sa më mirë dhe kam nevojë për mbështetje morale e financiare. Besoj se shteti do të më qëndrojë përkrah mua dhe sportistëve të tjerë”, ka shtuar ai. Duke folur për cilësinë e boksit në Kosovë, Zeqiri thotë se është në ngritje e sipër. “Nuk mund të themi se kemi cilësi shumë të madhe, por çdo vit e më shumë po ngrihet. Personalisht nuk kam shumë konkurrencë dhe për këtë synoj ta sfidoj veten edhe ndaj boksierëve të tjerë nga vendet e ndryshme të botës”, ka deklaruar ai. Liridon Zeqiri një herë ka qenë kampion në kategorinë e juniorëve dhe katër vjet radhazi është shpallur boksieri më i mirë për kategorinë e seniorëve në vitet 2009, 2010, 2011, 2012.
Të dielën turneu “Pavarësia 2014”
Për nder të 6-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, për të 6-tin vit me radhë Federata e Boksit do ta organizojë turneun “Pavarësia 2014”. Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi janë përfaqësueset e para që e kanë konfirmuar praninë e tyre në këtë garë, kurse aplikimi i vizave për shtetin e Bosnjës ka bërë që boksierët boshnjakë të mos udhëtojnë në Kosovë këtë herë. Sipas kryetarit të këshillit organizativ të këtij turneu, Latif Demolli, përzgjedhësi Xhevdet Peci i ka ftuar boksierët më të mirë, të cilët do të sprovohen nga ata të rajonit. Demolli nuk e mohon mundësinë që edhe turneu për pavarësinë e Kosovës së shpejti të futet në kalendarin e garave të AIBA-s apo EUBC-së, të cilin fat e kanë pasur turnetë e tjera të mëdhenj “Adem Jashari” e “Lah Nimani”. Turneu “Pavarësia” do të zhvillohet të dielën nga ora 12:00. /Epokaere/Telegrafi/