Qendra kosovare, Urim Zenelaj, ka shuar të gjitha spekulimet dhe ka bërë të ditur se nuk do të largohet nga RTV 21. Ai ka kontratë me prishtinasit deri në vitin 2015. Vetë Zenelaj është shprehur se do të qëndrojë në 21-sh, së paku deri në fund të këtij sezoni. “Kam vendosur të qëndroj. Nuk do të largohem deri në fund të këtij sezoni edhe pse kam kontratë deri më 2015. Kam pasur disa oferta, por nuk do të largohem nga RTV 21”, ka deklaruar Zenelaj për ‘Sport Plus’. Për të ishin të interesuar Sigal Prishtina, Bashkimi e Kastrioti. Ai tani beson se do të dëshmojë aftësitë e tij. “Nuk kam pasur një stinor të mirë. Besoj se do t’i dëshmoj aftësitë e mia dhe nuk do të largohem pa gjurmë nga skuadra prishtinase”, theksoi qendra nga Theranda.
Më mirë në pranverë
RTV 21 nuk kishin një stinor të mirë, duke përfunduar në vendin e shtatë, por Urim Zenelaj, beson se do të këndellen. “Mendoj se do të arrijmë rezultate më të mira. Kemi pasur disa probleme, si me ndërrimin e lojtarëve të huaj dhe disa lojtarë kanë qenë të lënduar. Besoj se në stinorin pranveror rezultatet nuk do të mungojnë”, ka përfunduar Urim Zenelaj.
‘Teleboysat’ stërvitjet për stinorin pranveror do t’i fillojnë javën e ardhshme.
21-shi stinori vjeshtor e përfundoi në vendin e shtatë me 17 pikë, tri fitore dhe 11 humbje, madje tetë humbje i pësoi nën drejtimin e Arben Krasniqit, i cili arriti vetëm një fitore, atë ndaj Kastriotit në Ferizaj. Stinori pranveror do të fillon më 15 shkurt. /SportPlus/Telegrafi/