Deputeti Fadil Zendeli, pjesë e Lëvizjes Besa që udhëhiqet nga Bilall Kasami, sot në konferencë për shtyp tha se në procesin e ndryshimeve kushtetuese, ata do të dorëzojnë amendamente për avancimin e të drejtave të shqiptarëve.
Ai thotë se varësisht të debatit për amendamentet e tyre, do të vendosin nëse do të miratojnë ndryshimet kushtetuese lidhur me marrëveshjen me Greqinë, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Si parti politike kemi thënë se do të jemi pjesë e procesit për miratimin e ndryshimeve kushtetuese dhe se do të intervenojmë me amendamente për avancimin e të drejtave të shqiptarëve. Nuk mund të pranojmë që pas 27 viteve, këto të drejta t’i lëmë për kohëra më të mira. Mendojmë se në këto momente hapen këto çështje, pasi i prekin shqiptarët. Këto çështje duhet të zgjidhen”, tha Zendeli.
Ai shtoi se çështjet për të drejtat e shqiptarëve që do të kërkohen të avancohen, nuk janë që nga marrëveshja e Ohrit, por prej pavarësisë së Maqedonisë.
Përndryshe, kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, sot ka realizuar takim me zv.ndihmës sekretarin amerikan Matthew Palmer, me të cilin kanë diskutuar për situatën politike në vend si dhe hapjen e Kushtetutës.
“Kryetari Kasami e informoj për angazhimin e Lëvizjes Besa në procesin për ndryshimet kushtetuese me amendemate për qartësimin dhe formulimin e një kushtetute e cila do reflektojë realitetin shoqëror të shtetit”, thonë nga Lëvizja Besa./Telegrafi/