Site icon Telegrafi

Zendeli akuzon Xhaferi për përpjekje të papranueshme në zgjedhjen e KSHZ-së

Në letrën e kryeparlamentarit Talat Xhaferi për nominimin e anëtarit të KSHZ-së dërguar pesë partive politike shqiptare nga opozita, ka përpjekje për manipulim të ri, akuzon deputeti i Lëvizjes Besa, Fadil Zendeli në një prononcim për TV21. Sipas tij, kërkesën për nominimin e anëtarit të KSHZ-së, Xhaferi është dashur t’ua drejtojë vetëm Besës dhe Alternativës dhe jo partive tjera të sapoformuara.

“Sipas Kodit Zgjedhor, zoti Xhaferi duhej t’iu kishte dërguar letër vetëm Lëvizjes Besa dhe Alternativës. Sepse sipas Kodit Zgjedhor neni 2 dhe neni 27 do të shihni se aty kërkohen vetëm partitë politike që kanë marrë pjesë në zgjedhjet e fundit parlamentare. Tre partitë politike në fjalë, përveç këtyre dyve që përmenda, janë parti të reja politike dhe nuk kanë marrë pjesë në zgjedhjet e fundit dhe si të tilla nuk duhet të marrin pjesë në zgjedhjen e anëtarëve të KSHZ-së. Por kjo është një lojë tjetër e zotit Xhaferi”, tha Fadil Zendeli nga Besa.

Letrën që Xhaferi e ka dërguar këto ditë është e adresuar deri te Izet Mexhiti, Afrim Gashit, Arjanit Hoxhës, Skender Rexhepit dhe Billall Kasamit si kryetarë të partive opozitare. Në të është e vendosur lista e kandidatëve për anëtarë të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, e cila paraprakisht është harmonizuar në Komisioni parlamentar për zgjedhje dhe emërime, dhe kërkohet që më së voni deri të hënën të dorëzohet një emër për plotësimin e pozitës së zbrazur në KSHZ.

“Ju njoftoj se në përputhje me nenin 29 pika 1 të Kodit Zgjedhor, brenda tre ditëve nga dita e pranimit të këtij njoftimi, jo më vonë se data 18 dhjetor 2023, deri në orën 16:30, duhet të dorëzoni propozim me shkrim për një anëtar të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve nga lista e dorëzuar e cila është e bashkëngjitur në Raport”, tha Talat Xhaferi.

Zendeli thotë se do ta respektojnë afatin dhe do ta propozojnë Abdush Demirin, kandidatura e të cilit fillimisht u refuzua nga Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime, e më pas, pas reagimit të ashpër të Zendelit, sërish është pranuar. Megjithatë, ai dyshon se do të ketë pengesë të re në seancën parlamentare për zgjedhjen e anëtarit të KSHZ-së.

“Ne do të aplikojmë me kandidatin tonë, dihet kush është kandidati ynë, por pres që pengesat dhe bllokimet në Kuvend të vazhdojnë nga zoti Xhaferi dhe shumica. Vetë fakti që ai u ka dërguar letër këtyre tre partive politike do të thotë se ai në njëfarë mënyre është duke u përgatitur për një pengesë të re dhe bllokadë të re për zgjedhjen e anëtarit të KSHZ-së”, shtoi Zendeli.

Edhe nga opozitarja OBRM-PDUKM dyshojnë për manipulime nga pushteti për zgjedhjen e anëtarit të KSHZ-së.

“Për momentin, ai vend është i paplotësuar, edhe pse të gjithë e dinë se duhet t’i përket opozitës, edhe pse janë shkelur disa ligje, duke pasur parasysh se ligjet kanë norma të qarta dhe procedura të qarta për sa kohë duhet të jetë e plotësuar KSHZ-ja. Luajtja me këtë proces tregon se ata po mendojnë për manipulime në procesin zgjedhor”, tha Aleksander Nikollovski.

Për zgjedhjen e anëtarit të KSHZ-së nevojitet shumicë prej dy të tretave, përkatësisht për të të votojnë së paku 80 deputetë. Kjo pozitë mbeti e paplotësuar që nga shkurti i këtij viti kur në Qeveri hyri Aleanca për Shqiptarët dhe ministër i Drejtësisë u bë Krenar Lloga, i cili më parë ishte anëtar i KSHZ-së.

 

Exit mobile version