Autoritetet ukrainase kryen të shtunën veprime kundër “tradhtarëve”, ka njoftuar presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky në fjalimin e tij të përditshëm.
“Sot, agjencitë ukrainase të zbatimit të ligjit kanë performuar gjithashtu shumë mirë: Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës, Byroja Shtetërore e Hetimit, Policia Kombëtare dhe Prokuroria jonë”, tha Zelensky.
“Tradhtarët dhe skemat e ndryshme që dobësuan shtetin tonë dhe shoqërinë tonë ukrainase po kundërshtohen. Dhe kushdo që qëndron kundër Ukrainës ose kundërshton ligjet e Ukrainës duhet të kujtojë se do të përballet me një përgjigje”, shtoi ai.
Por, presidenti nuk dha asnjë detaj në lidhje me veprimet, shkruan yahoonews, përcjell Telegrafi.
Megjithatë, agjencia e inteligjencës e Ukrainës SBU dhe zyra e prokurorit publik lëshuan një numër jashtëzakonisht të madh deklaratash gjatë ditës në lidhje me bashkëpunëtorët dhe agjentët e dyshuar të Rusisë që ishin arrestuar.
SBU, për shembull, raportoi arrestimin e një shefi departamenti në një bankë shtetërore.
Menaxheri i bankës thuhet se ka qenë i përfshirë në financimin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
Në një rast tjetër, prezantuesi televiziv i prirur nga opozita, Max Nazarov u arrestua për gjoja justifikimin e Rusisë për fillimin e konfliktit.
Një raport tjetër përmendi zbulimin e një rrjeti spiunësh të drejtuar nga shërbimi i brendshëm rus i inteligjencës FSB.
Grupi thuhet se ka qenë aktiv në kryeqytetin Kiev dhe në Kharkiv në Ukrainën lindore.
Ndërsa së fundi, në rajonin e Dnipropetrovsk, shërbimi sekret pretendon se ka zbuluar një kompani që dyshohet se ka ndihmuar Rusinë të ndërtojë një laborator për zhvillimin e armëve bërthamore. /Telegrafi/