Site icon Telegrafi

Zelanda e Re fiton betejën ndaj coronavirusit, për herë të parë nuk ka raste të reja me COVID-19 – që nga fillimi kanë humbur jetën 20 persona

Në Zelandën e Re sot nuk është raportuar as edhe një rast i ri me coronavirus, për herë që nga 25 marsi kur në këtë vend janë vënë masat e ashpra të izolimit.

Drejtori i drejtorisë për shëndetësi, Ashley Bloomfield, ka deklaruar gjatë një konference për mediat se kjo është një arsye e fortë për të festuar, transmeton Telegrafi.

Ai theksoi faktin se numri i përgjithshëm i të vdekurve nga COVID-19 në këtë vend, është vetëm 20.

“Kjo është dita e parë jo vetëm që nuk ka raste të reja të prekurve me COVID-19, por dëshirojmë që edhe ashtu të mbetet në ditët e ardhshme. Është rezultat i përpjekjeve tona”, ka shtuar Bloomfield, raporton Reuters.

Në Zelandën e Re gjatë javës së kaluar janë zbutur masat e rrepta që për më shumë se një muaj ishin aplikuar duke mbyllur shkollat, zyrat, qendrat tregtare, restorantet dhe këndet e lojërave.

Në anën tjetër, miliona studentë po vazhdojnë të vijojnë mësimin nga shtëpitë, kurse sektorë të caktuar të fushës së ekonomisë kanë rifilluar punën.

Bloomfield ka paralajmëruar se njerëzit duhet të vazhdojnë të respektojnë distancimin social me qëllim që të mos rikthehet virusi. /Telegrafi/

 

Exit mobile version