Trajneri i Prishtinës, Zekirija Ramadani duket se do e mbyllë më herët se që pritej aventurën e tij me klubin kryeqytetas pas humbjes nga Drenica, e cila ishte e treta radhazi.
Prishtina humbi ndeshjen e tretë radhazi në Superligën e Kosovës, pasi pas humbjeve nga Gjilani dhe Ballkani, sot u mposht edhe nga Drenica.
Kjo humbje ka bërë që karrigia e trajnerit Ramadani të lëkundet dhe vet trajneri ka paralajmëruar dorëheqjen pas ndeshjes.
“Dhamë maksimumin, por nuk mjaftoi që të fitonim. Drenica na mposhti pas angazhimit që kishin”, ka thënë fillimisht Ramadani pas ndeshjes.
“Tri humbje radhazi janë shumë dhe dikush duhet të marrë përgjegjësi. Ai që duhet të marrë përgjegjësi jam unë, dhe nuk i iku aspak përgjegjësisë”.
“Këto tre humbje nuk na ngjajnë aspak dhe unë do të marrë përgjegjësinë, e them këtë me plotë bindje”.
“Motivimi nuk është në nivelin e duhur, por çfarë do ndodhë ia lëmë kohës dhe do flasim me drejtuesit e klubit”, përfundoi trajneri i Prishtinës. /Telegrafi/