Deputeti i LSDM-së Muhamed Zekiri, thotë se sot me ose pa OBRM-PDUKM-në do të nënshkruhet data për mbajtjen e referendumit, ndërsa shtoi se i njëjti do të mbahet më 30 shtator.
Duke komentuar deklaratën e Aleksandar Nikollovskit nga OBRM-PDUKM, i cili tha se nëse kjo marrëveshje nuk miratohet, opozita do të arrijë marrëveshje më të mirë me Greqinë, Zekiri theksoi se kjo është qesharake edhe të dëgjohet, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Kanë pasur plotë 11 vite për të arritur marrëveshje. Tragjike, por edhe qesharake është të dëgjohet kjo. Maqedonia nuk ka mundësi tjetër, përveç ta zbatojë këtë marrëveshje dhe të bëhet anëtare e BE-së dhe NATO-s”, deklaroi Zekiri.
Ndërsa sa i përket formulimit të pyetjes, Zekiri tha se akoma rishikohen mundësitë, por sipas tij është e sigurt që pyetja do të përmbajë pjesën “A jeni për anëtarësim në NATO dhe BE?”./Telegrafi/