Site icon Telegrafi

Zekiri akuzon Ademin për neglizhencë, Ademi e quan provokator kujdestar ndaj BDI-së

“Ministria e Arsimit e mandatit të kaluar neglizhoi përgatitjet për fillim të vitit të ri shkollor, ndërsa Ministri Arbër Ademi më shumë u morr me kandidaturën për deputet, se sa me çështjet e arsimit” – kështu akuzoi mbrëmë në emisionin Click Plus nënkryetari dhe deputeti i LSDM-së Muhamed Zekiri, duke e justifikuar bashkëpartiaken e tij Milla Carovska për gjendjen në të cilën ndodhet sistemi i arsimit.

“Ministri i atëhershëm ishte edhe kandidat për deputet, bartës liste, besoj se i është përkushtuar më tepër fushatës se sa punës ku ishte Ministër dhe këtu unë vetë e shoh këtë problem që është lënë ndoshta, nuk është punuar prej fillimit. Ministresha e dini ka një muaj që është në këtë post dhe menjëherë i është përkushtuar punës për të filluar sa më mirë vitin e ri shkollor”, tha Muhamed Zekiri.

Ish-ministri i Arsimit Arbër Ademi krejt këto i sheh si mungesë informacioni. Pohon se deri në çastin e fundit sa ka qenë ministër është angazhuar për mënyrën e organizimit të procesit arsimor. Zekirin e quan provokator kujdestar!

“Nuk e kuptoj arsyen se pse duhet të ja jep vetvetes rolin e provokatorit kujdestar ndaj eksponentëve të Bashkimit Demokratik për Integrim dhe rrjedhimisht ndaj meje në këtë rast. (ngjitje) Deri në ditët, çastet e momentet e fundit sa kemi qenë në drejtim të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës ne maksimalisht kemi qenë të angazhuar për cilësinë e arsimit dhe mënyrën e organizimit dhe realizimit të procesit arsimor edhe për vitin shkollor që filloi sot”, tha Arbër Ademi, ish-ministër i Arsimit.

Arsyeja se pse viti shkollor filloi me një muaj vonesë, siç shpjegon Ademi, janë rekomandimet e institucioneve shëndetësore për të mos filluar mësimin më 1 shtator si dhe mungesa e një baze ligjore. Dekretet me fuqi ligji të qeverisë vlenin vetëm në kohë të gjendjes së jashtëzakonshme e cila përfundoi në qershor. Ligjet për arsimin fillor dhe të mesëm u miratuan pas zgjedhjeve, nga përbërja e re parlamentare./TV21/

 

 

Exit mobile version