Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovës (OEAK), Arian Zeka, i cili foli për sfidat dhe të arriturat e kësaj ode që nga themelimi pohoi se OEAK-u mbetet një zë i fuqishëm i biznesit në vend.
“OEAK sot numëron 170 anëtarë. Gjatë tri viteve të fundit, është dyfishuar me numrin e saj anëtarësisë. Anëtarësia ose bizneset që ne sot përfaqësojmë kanë një qarkullim të përbashkët prej 1.8 miliard euro dhe punësojmë bashkërisht pak më pak se 25 mijë punonjës. Gjë që realisht na bënë një zë jashtëzakonisht të fuqishëm të biznesit në këtë vend. Gjithashtu, jemi krenar që jemi organizata më e fuqishme e biznesit të huaj në vendin tonë“, tha ai.
Ai përmendi edhe vështirësitë me të cilat janë ballafaquar bizneset amerikane të cilat kanë ardhur në Kosovë, disa prej të cilave janë detyruar dhe të largohen si pasojë e një mjedisi të pafavorshëm për të bërë biznes.
“Ka pasur mos të them mijëra, atëherë së paku qindra biznese që i ofrohen numrit një mijë që kanë ardhur gjatë këtyre viteve në Kosovë. Por një pjesë e madhe e tyre për shkak të mjedisit të vështirë për të bërë biznes nuk kanë vazhduar edhe me tej që të jenë këtu. Ne jemi munduar që t’u ofrojmë atyre të gjitha shërbimet e nevojshme që ata të regjistrohen, të themelojnë biznesin e tyre dhe të vazhdojnë të mbesin këtu. Megjithatë, nuk është roli i një OEAK tërheqja e investimeve, meqenëse kjo është detyrë e Agjencisë për promovimin e investimeve dhe ministrive përkatëse”, tha ai.
Kurse Ambasadorja e SHBA-së,, Tracey Ann Jacobson tha se shpresa e vetme për rritjen ekonomike të Kosovës, është zhvillimi ekonomik i udhëhequr nga sektori privat, gjë të cilën po e bënë OEAK.
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) është një organizatë e pavarur, jo-qeveritare e cila promovon mundësitë ekonomike dhe interesat e biznesit. OEA është një shoqatë udhëheqëse e bizneseve në Kosovë, me anë të së cilës udhëheqësit e biznesit bashkëpunojnë për përforcimin e klimës ekonomike të vendit.
E themeluar në 2004, është formalisht e akredituar nga Oda Ekonomike e Shteteve të Bashkuara (OEShB) në Uashington, e cila e mundëson OEAK të veproj si një urë lidhëse në mes të OEShB dhe bizneseve Kosovare. Gjithashtu, OEAK është anëtare e Odës Amerikane në Evropë, që mundëson anëtarëve të saj lidhje të drejtpërdrejt në rrjetin e 18,000 kompanive Amerikane dhe Evropiane. /Telegrafi/