Në ceremoninë e organizuar në Restorantin “Shala” në Podujevë, ku ishin të pranishëm sportistë, punëtorë sportivë dhe mysafirë të shumtë, drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport (DKRS) i Komunës së Podujevës, Nexhmi Balaj, tha se zgjedhja e sportistit të vitit është një akt falënderimi dhe vlerësimi për rezultatet e arritura të sportistëve në fusha të ndryshme, ku ata kanë garuar.
Në mesin e 20 klubeve sportive dhe mbi 300 sportistëve llapjanë, për rezultatet e treguara gjatë vitit, komisioni vlerësues sportist të vitit 2013 e ka shpallur karateistin Qamil Zeka, kurse në vendin e dytë dhe të tretë janë radhitur atleti Ajet Metolli dhe atletja Rita Hajdini.
Në mesin e dhjetë sportistëve më të mirë kanë hyrë edhe Armend Blakçori-futbollist, Benjamin Emini-futbollist, Feride Kastrati dhe Luljeta Blakçori-futbolliste, Fatlum Halili-notar, Arianit Idrizi-hendbollist, Mentor Hyseni-futsall dhe Adrian Jashari-shahist.
Klubi më i suksesshëm u shpall Klubi i Atletikes “Llapi”. Ndërsa klubet më të organizuara janë shpallur KF “Llapi”, KF “Hysi” dhe Buda Academy “Llapi”. Epiteti i trajnerit më të suksesshëm të vitit i takoi Skender Shalës -trajner për karate. Me mirënjohje u nderuan edhe sportistë të kategorive të reja, punëtorë sportivë, veteranë e gjyqtarë. Kurse një mirënjohje e veçantë iu dhurua Artan Xhihiqit-donator shumëvjeçar i sportit. Për prezantimin e aktiviteteve dhe rezultateve të klubeve sportive llapjane me mirënjohje u nderuan Radio “Vizioni” dhe Radio “Llapi”, si dhe gazetarët: Enver Hyseni dhe Dalip Vokrri.
Me një mirënjohje të veçantë është nderuar fotoreporteri Blerim Uka, për përcjelljen dhe sjelljen e imazheve sportive në Podujevë edhe jashtë vendit. /Zëri/Telegrafi/