Telegrafi

Zejdi: Nëse Alternativa garon e vetme, shuhet si parti

Nëse Alternativa nuk bashkohet me ndonjë parti dhe garon e vetme në zgjedhje do të shuhet. Këtë konstatim e dha deputeti Skender Rexhepi – Zejdi, duke komentuar bashkëpunimin e partisë së Afrim Gashit me partinë e re, Lëvizja Demokratike të Izet Mexhitit dhe BESËN e Bilall Kasamit. Ai vlerëson se kjo parti si dhe Aleanca për Shqiptarët në qoftë se nuk do të lidhnin koalicion në zgjedhjet e kaluara nuk do të merrnin asnjë deputet.

“Janë bashkuar sepse Alternativa vetë nuk do të merrte asnjë deputet, askund fare… A mendon se do të shuhej Alternativa nëse do të dilte vetë në zgjedhje? Padyshim, mund ta provojnë, pa asnjë dyshim me 0.3% sondazh nuk merret deputet, deputet merret kur të kalosh mbi 1.5 e 1 e tepër në sondazh që të marrësh deputet. 0.3% sondazhet e fundit që janë është barabart me përkrahjen që e ka LSDM te shqitarët, kjo është më tepër se dështim, është shuarje”, tha Skender Rexhepi – Zejdi, deputet i pavarur.

Kësaj deklarate iu kundërpërgjigj Admirim Aliti nga partia opozitare, i cili vlerëson se parashikimet e Zejdit për Alternativën, çdoherë janë të gabuara.

“Detajisht nuk dua ta komentojë këtë deklaratë, por siç e dimë Zejdi ka bërë shumë parashikime për Alternativën të cilat nuk i kanë dal ashtu siç i ka parashikuar, prandaj po supozoj edhe ky parashikim por edhe ato në të ardhmen që mund t’i jape për Alternativën, prapë do t’i gabojë”, Admirim Aliti, Alternativa.

Sipas Zejdit Alternativën dhe Besën i ka ndarë atëherë ideali ndërsa tani i bashkon interesit. Për të është befasi negative fakti që Lëvizja Demokratike u bashkëngjit në këtë kohë me këto, marrë parasysh se është një subjekt politik që është në themelim e sipër. Në pyetjen se a do të bashkohej edhe Zejdi me partinë e tij të re në këtë bllok opozitar, ai tha se e ka braktisur një anije të fundosur, që nënkupton Alternativën dhe nuk do të vinte këmbën më në të.