Deputeti Skender Rexhepi – Zejdi në ClickPlus ka zbuluar një pjesë të informacioneve që ka marrë ai si deputet i Alternativës, për të mësuar më shumë se deri ku është kërkesa e kësaj partie, që ishte pjesë e marrëveshjes për bashkëqeverisje me LSDM-në, për hetim ndërkombëtar për rastet e montuara.
Ai deklaroi se “Alternativa” asnjëherë nuk ka kërkuar hetim ndërkombëtar për rastet e montuara.
“Jam konsultuar në Qeveri dhe më kanë thënë se këso kërkesë asnjëherë nuk ka pasur nga Alternativa. Qoftë kjo letra famoze për prokurori për hetues ndërkombëtar, jo është në Ministri të Drejtësisë për korrigjim, jo ende se kemi dorëzuar, por e kemi paraparë, jo se ka pranuar kryeministri … Kjo është tallje me njerëzit dhe me marrëveshjen politike që e ke bërë. Këtu nuk ka faj Qeveria, ka faj Alternativa… Unë do të takohem me kryeministrin dhe do të shoh se deri ku është pika ku unë kam qenë më i ndjeshëm dhe më i thirrur”, tha Zejdi.
Ndërsa duke folur për largimin e Alternativës nga Qeveria, ai tha se kjo ka ardhur si rezultat i mossuksesit të Bekim Salit, si ministër i Shëndetësisë.
“Nuk mundesh për Ministrinë e Shëndetësisë ta djegësh gjithë Alternativën. Gjithë ata ministra e drejtorë t’i ekzekutosh politikisht për faktin se një i afërmi yt i klanit tuaj nuk arriti të mbijetojë në skenën politike”, tha Zejdi./TV21/