Telegrafi

Zëdhënësja e ministrisë se Jashtme ruse akuzon politikanin për ngacmim seksual

Një deputet rus është përfshirë në një skandal seksual. Ka qenë zëdhënësja e ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, ajo që e ka akuzuar Leonid Slutsky për ngacmim seksual.

Deklarata e saj erdhi pas akuzave të tri gazetareve ndaj deputetit, ndërsa zëdhënësja e ministrisë tha se “Leonid ka nisur të flasë për disa gjëra në restorant, për të cilat ishin shumë të sikletshme”.

“Unë u habita se si ata që ishin prezent nuk kanë thënë asgjë dhe nuk më kanë mbështetur”, tha ajo për televizionin rus NTV, përcjell Telegrafi, duke shtuar se incidenti ka ndodhur pesë vjet më parë kur ajo nuk ishte person shumë i njohur.

Më herët, Yekaterina Kotrikadze, zëvendësredaktore për televizionin RTVI, producentja e televizonit Dozhd dhe korrespondentja e BBC-së, Farida Rustamova, kanë akuzuar Slutskyn për ngacmim seksual, duke thënë se ai ka tentuar të ketë kontakt fizik me to.

Nga ana tjetër, Slutsky ka mohuar akuzat, ndërsa ka kërcënuar se do të padisë akuzueset për shpifje, mirëpo ai ka kërkuar falje në një postim në Facebook, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas.

“Duke shfrytëzuar rastin e kësaj dite, dua t’iu kërkojë falje të gjitha atyre që me apo pa dëshirë u kam shkaktuar ndonjë shqetësim”, ka shkruar ai. /Telegrafi/