Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Avni Bytyçi ka reaguar pas deklaratave të kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se nuk i ka borxh asgjë PDK-së dhe se këtë partia e ka nxjerrë nga opozita më herët.
Bytyçi ka ironizuar me Haradinajn edhe për deklaratën e tij, se ai ishte sikur engjull gjatë kohës së luftës.
Bytyçi ka thënë se sa herë Haradinaj flet populli qesh me të, transmeton Telegrafi.
“Sa herë që flet Ramush Haradinaj, banori i lagjes Marigona, i vetëquajtur edhe si engjulli i luftës, për hajni, korrupsion, qeverisje të mirë dhe për menaxhim publik. I tërë populli i Kosovës reagon si më poshtë: HAHAHAHAHA. Po ku je nisur moj engjëllushe?, thuhet në reagimin e Bytyçit të bërë në Facebook.
Ndryshe, kreu i AAK-së sonte në një debat televiziv ka sulmuar ashpër PDK-në.
“Këta që po thonë Ramushi le të na kthej borxhin, i kam nxjerrë nga opozita. Më ka sharë një Kosovë që jam bërë me hajnat e ‘Prontos’. I kam nxjerrë nga opozita dhe i kam pru në pushtet. Kur i kam pru në pushtet janë munduar çdo ditë të më rrëzojnë pasi që kam ngulur këmbë për njëfarë takse. Janë njerëzit e njëjtë që e kanë themeluar Gjykatën Speciale”, kishte thënë ai. /Telegrafi/