Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, në një reagim të bërë në Facebook ka thënë se provat e rastit “Dehari” nuk mund t’i dëmtojë askush.
Kjo pasi siç ka deklaruar ai, mbi to janë bërë tashmë ekspertiza e superekspertiza.
Kështu që për sigurinë e tyre, Manxhuka ka thënë se nuk duhet të shqetësohet askush.
“Të shqetësuar jemi vetëm mbi padrejtësinë, moszbardhjen ende të atij rasti. Rasti i Astrit Deharit është me të vërtetë rast që ka prekur gjithë shoqërinë dhe çkado që ndodh njerëzit me të drejtë hedhin dyshime, por provat dhe e vërteta janë të pazhbëshme tashmë. Është koha vetëm për drejtësi”, ka shkruar ai në Facebook.
Ndryshe, reagimi i Manxhukës vjen pasi mëngjesin e së martës u përfshinë nga zjarri dy zyra në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Është hera e dytë që objekti i IML-së është përfshirë nga flakët brenda këtij viti. /Telegrafi/