Site icon Telegrafi

Zëdhënësi i DASH-it, Price: Ende nuk kemi emra të rinj në listën tonë të zezë nga Ballkani Perëndimor

Shtetet e Bashkuara ende nuk i kanë emrat e rinj në lidhje me dekretin e presidentit, Joseph Biden mbi Ballkanin Perëndimor, tha zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price, duke iu përgjigjur pyetjes nëse njerëz potencialisht të rinj do të jenë në listën e zezë.

“Sidoqoftë, falë dekretit, ne do të jemi në gjendje të trajtojmë kërcënimet më urgjente ndaj stabilitetit dhe përparimit të institucioneve demokratike”, tha Price.

Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara për “promovimin e demokracisë, transparencës, llogaridhënies dhe qeverisjes demokratike në të gjithë Ballkanin Perëndimor, në përputhje me standardet që vendet duhet të plotësojnë në mënyrë që të përmbushin qëllimin e tyre për të përparuar në rrugën Evropiane”.

Biden ka lëshuar një urdhër për ngrirjen e pasurive dhe ndalimin e individëve për të hyrë në Shtetet e Bashkuara që përbëjnë një kërcënim për sigurinë dhe paqen e çdo vendi në Ballkanin Perëndimor.

Urdhri ekzekutiv do të përfshijë gjithashtu persona që janë të përfshirë direkt ose indirekt në korrupsion, keqpërdorim të fondeve publike, marrje ryshfet dhe të ngjashme.

Në fillim të qershorit, administrata amerikane shpalli zyrtarisht luftën kundër korrupsionit vendimtare për sigurinë kombëtare të SHBA-së. /Telegrafi/

Exit mobile version