Zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili ka reaguar lidhur me lirimin e ish-ministrit nga Lista Serbe, Ivan Teodosijeviq nga të gjitha akuzat.
Ai ka ngritur dyshime nëse lirimi i tij nga akuzat ka të bëjë me zmbrapsjen e Albinit ndaj Serbisë për situatë në veri.
“Lajm i tmerrshëm lirimi i ish-ministrit të Listës Serbe Teodosijevic për mohimin e masakrës së Reçakut. Ministri që u shkarkua nga Kryeministri Haradinaj sepse e mohoi Reçakun, sot u lirua nga dënimi. A lidhet edhe ky lirim i mohuesit të Reçakut me zmbrapsjen e Albinit ndaj Serbisë përmes piunit Bislimi? A është pjesë e pakos së kapitulimit të Kurtit ndaj Serbisë?”, ka shkruar Xhemaili.
Të mërkurën, Gjykata Supreme ka vendosur që ta lirojë Todosijeviqin nga akuza për urrejtje, për deklaratën ku mohonte masakrën e Reçakut.
Sipas arsyetimit që Supremja e ka dhënë për këtë rast, Todosijeviqi është shpallur fajtor me vendime që në Themelore dhe Gjykatë të Apelit, janë marrë në shkelje të ligjit penal, pasi që thuhet se vepra për të cilën i pandehuri është shpallur fajtor dhe është dënuar nuk është vepër penale. /Telegrafi/