Zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili, ka reaguar për protestën e sotme të thirrur për të kundërshtuar formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke thënë se ajo është organizuar nga analfabetët e Kurtit, për ta tërhequr vëmendjen nga skandali i Martin Berishajt.
Xhemaili përmes një postimi në Facebook ka thënë se në protestë u panë “pëkrahësit deluzional të kryeministrit Kurti”.
“Në shesh sot i pamë ata përkrahësit deluzional të Kurtit. Ata që kanë mbet pa u rahatu në kapjen e shtetit. Me protestë pa e ditë arsyen e protestës, me gabime dhe ironikisht duke e përqafuar tezen e Kurtit se shqiptarët janë analfabetë, dolën analfabetët e Kurtit”, ka shkruar Xhemaili.
Ai ka thënë se mashtrimet e Kurtit tash shihen si të vërteta vetëm nga ata që janë të verbër ndaj realitetit.
“Kjo është një përpjekje e mjerë e Kurtit për ta tërhequr vëmendjen nga skandali i Martin Berishajt me protestë koti në shesh. Kurti, ky udhëheqës i kapluar nga vetëdashnia e buzë greminës, vret te gjitha qëndrimet e veta. Mashtrimet e Kurtit tash shihen si të vërteta vetëm nga ata që janë të verbër ndaj realitetit”, ka përfunduar Xhemaili. /Telegrafi/