Zebinca është fshat i banuar me serbë që gjendet në territorin e Komunës së Artanës (Novobërda). Është fshat kodrinor nga ku, në veri, shihet Kalaja. Shumica e banorëve janë shpërngulur para dhe pas luftës dhe pronat e tyre i kanë blerë shqiptarët.
Zebinca shpesh ka qenë tërheqëse për politikën dhe mediat e Beogradit. Por, karakteristika kryesore e këtij fshati është një lagje që në serbisht quhet Korçini – në shqip Korçarët e madje lagjja njihet edhe në turqisht si Korçali (shih fotografinë e fundit). S’do mend që banorët e lagjes janë korçarë nga prejardhja dhe në këtë fshat janë vendosur në fund të shekullit XVII. Pra, nga kjo mund të konkludohet se janë shqiptarë të serbizuar.
Këtë fakt e bën me dije edhe Atanasije Urosheviq në librin e tij “Новобрдска Крива Река” (Kriva Reka e Novobërdës). Por, Urosheviqi thotë se korçarët këtu kanë ardhur nga Manastiri ku ishin shpërngulur më parë dhe se janë prezantuar si bullgarë.
Sidoqoftë, nga kjo lagje nuk janë shpërngulur “serbët korçarë” sikur serbët e lagjeve tjera. Ndoshta nuk kanë ku të shkojnë. Ndoshta në Serbi nuk i duan për shkak se i trajtojnë si shqiptarë. Ndoshta nuk mund të kthehen as në Korçë ku do t’i kishin trajtuar si serbë. Megjithatë, banorët e fshatrave përreth këta “korçarë” i konsiderojnë më serbë se sa serbët. Punë e komplikuar!