Zdrukthtaria dikur shte ndër profesionet më të kërkuara, por sot kësaj zeje i ka humb shkëlqimi. Të paktë janë ata, që e praktikojnë.
Ndër të rrallët është Arsim Kameri nga Kçiqi i Madh i Mitrovicës, i cili ka kaluar më shumë se 40 vite me profesionin e zdrukthtarit.
Ai ka thënë se zdrukthtarinë, më shumë se punë, e ka pasion.
“Me këtë profesion që nga fëmijëria kam filluar të merrem, pasi e kam parë gjyshin duke punuar me gjëra të drunjta, me shkama e diçka të ngjajshme për shtëpi. Nga ai moment më ka lind si merak dhe kam filluar të punoj. Nga paslufta kemi vazhduar me makineri me të mirë. Nuk është profesion i lehtë, por meraku e bën të veten. Përdori drunj të ndryshëm dekorativ, arrë, qershi, verri etj.”, deklaroi për RTV Dukagjinin zdrukthtari Arsim Kameri.
E filloi këtë zeje si fëmijë, duke e përvetësuar kështu zanatin e gjyshit të tij.
Edhe pse e din që kjo zeje është zbehur, ai thotë se do të vazhdojë të punojë me dru edhe nëse do të bëjë punime vetëm për dëshirën e tij.
“Profesioni është zbehur, por ka disa gjëra që unë i punoj e janë të rralla. Punoj disa portrete e reklama me dorë, që janë të mira. Kam klientë, më së shumti disa amerikanë që jetojnë në Mitrovicë, por edhe në Kçiç. Ata i kanë disa kërkesa të veçanta, kërkojnë portrete, reklama për dhurata që iu nevojiten atyre për t’u bërë miqve të tyre. Punoj llogo për shkollën amerikane. Ata kërkojnë disa drunj që janë të krimbur, natyral i dëshirojnë”, thotë Kameri.
Punime të llojeve të ndryshme kishin zënë raftet e tij, disa të porositura.
Për dallim nga të tjerët, portretet janë veçanti e punës që ai bën.
Ai arrin që drurin ta zbërthejë në forma të ndryshme të artit.
“Punimet mund të marrin deri në katër orë. I lyej me një sprej që thahet shpejt”, shprehet zdrukthtari nga Mitrovica.
Sipas tij, sot ky profesion ka shumë pak jetë.
Arsim Kameri thotë se zdrukthtaria punohet vetëm nga ata, që e kanë pasion dhe që e kanë ruajtur traditën e të parëve me xhelozi. /Telegrafi/