Aktivisti i Vetëvendosjes, Hysen Durmishi, drejtor i Infrastrukturës në Komunën e Prishtinës, i ka tërhequr fjalët që i kishte thënë dje duke kërcënuar mediat.
Durmishi dje përmes një postimi në Facebook, tha se nëse “Lëvizja Vetëvendosje merr pushtetin, do t’i tërheqë zvarrë të gjithë gazetarët dhe mediat e pushtetit”.
Por, sot pas reagimit të kreut të VV-së, Visar Ymerit, fjalët i ka ndërruar edhe vet Durmishi, përmes një postimi në Facebook.
Postimi i Durmishit:
“Ato që i kanë bërë gjatë këtyre ditëve Gazeta Express, Indeksonline dhe Klan Kosova janë të papranueshme dhe të pështira.
Statusi im i djeshëm ka qenë nga nervoza dhe edhe mund të kem gabuar që e kam përdorur si simbolikë tërheqjen zvarrë. Natyrisht që unë as nuk kam tërhequr zvarrë askënd e as nuk do e tërheqë zvarrë askënd as në të ardhmen sepse nuk e kam ndërmend të bëhem polic. Ne aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! jemi tërhequr zvarrë, jemi arrestu, jemi vrarë e jemi plagosur nga pushtetet – regjim në Kosovën e pasluftës edhe nën aplaudimin e mediave të pushtetit – regjim.
Qëndrimi i nënës heroinë, Xhemile Dehari, mbajtur dje në konferencë për media është qëndrimi im”, (sic), ka shkruar Durmishi.