Telegrafi

Zbuloi rastet e mashtrimit në zgjedhjet ruse – organizata Golos shpallet ‘agjent i huaj’ nga Kremlini

Monitoruesi i pavarur i votave ruse Golos është etiketuar si agjent i huaj një muaj para zgjedhjeve parlamentare.

Organizata Golos detajoi rastet e mashtrimit në të gjithë Rusinë në votimin parlamentar të vitit 2011 dhe kreu i saj është zotuar se do të vazhdojë punën e tij në zgjedhjet e shtatorit.

Rusia e presidentit Vladimir Putin ka rënë në popullaritet, por po synon të ruajë shumicën e saj.

Figurat e opozitës janë vënë në shënjestër, me kritikun e Kremlinit, Alexei Navalny në burg dhe aleatët që nuk janë në gjendje të kandidojnë.

E formuar në vitin 2000 si një organizatë joqeveritare, Golos (që do të thotë “zë” dhe “votim”) u shpall agjent i huaj në 2013-në, por më pas u bë një lëvizje civile e paregjistruar, përcjell Telegrafi.

Tani është bërë grupi i parë në një listë të re të agjentëve të huaj që mbulon grupet e paregjistruara.

Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE) tha kohët e fundit se nuk do të dërgojë vëzhgues për zgjedhjet e muajit të ardhshëm për shkak të kufizimeve të vendosura nga autoritetet ruse.

Ministria e Jashtme e Rusisë ka akuzuar vendet perëndimore se po përpiqen të ndikojnë në fushatën zgjedhore duke u përqendruar në helmimin e figurës kryesore të opozitës, Alexei Navalny.

Navalny u arrestua më 17 janar pasi u kthye në Rusi nga Gjermania – ku u trajtua për helmim me një agjent nervor të tipit Novichok.

Për këtë të fundit ai ka hedhur akuza se ishte urdhëruar nga presidenti rus Vladimir Putin.

Autoritetet e Kremlinit kanë mohuar çdo rol në incidentin, i cili ishte sulmi i fundit ndaj Navalnyt.

Më shumë se 10 mijë njerëz u mblodhën gjatë tubimeve mbarëkombëtare që protestonin kundër arrestimit të tij, të organizuar në më shumë se 100 qytete ruse më 23 janar dhe 31 janar.

Më 2 shkurt, Navalny u dënua për shkelje të kushteve të dënimit të tij të pezulluar në lidhje me një rast përvetësimi që ai e ka quajtur të motivuar politikisht.

Kritiku i hapur i Kremlinit aktualisht po vuan një dënim prej 2 vite e gjysmë për shkelje të lirimit me kusht.

Ky vendim nxiti protesta të reja që u shpërndanë gjithashtu me forcë nga policia.

Më shumë se 1 mijë e 400 njerëz u arrestuan nga policia në Moskë, Shën Petersburg dhe qytete të tjera ruse gjatë atyre demonstratave.

Sipas aktivistëve për të drejtat e njeriut, policia këtë javë vizitoi shtëpitë e të paktën 30 njerëzve që u regjistruan si mbështetës të Navalny.

Monitoruesi i pavarur OVD-Info tha se policia kishte kërkuar të dinte pse emrat e tyre ishin në një bazë të dhënash Navalny, e cila u zbulua kohët e fundit.

Navalny është përpjekur të shtyjë një strategji të “votimit të zgjuar” për të synuar kandidatët nga partia në pushtet Rusia e Bashkuar.

Në qershor një gjykatë në Moskë ndaloi Fondacionin e tij Anti-Korrupsion (FBK) si dhe rrjetin e tij rajonal si “ekstremist”. Kjo do të thoshte që çdokush që mbështet publikisht rrjetin politik të Navalny-t mund të ndalohet të kandidojë për poste publike.

Sipas sondazheve të fundit të opinionit, mbështetja e Rusisë së Bashkuar ka rënë në rreth 27 për qind para votimit tre-ditor nga 17-19 shtator, shumë përpara partive të tjera të autorizuara për të kandiduar. Rusia e Bashkuar do të mbajë një kongres partie më 24 gusht. /Telegrafi/