Policia vuri në pranga një prej personave që tentoi të dërgonte pakot me pjesët e kallashnikovëve drejt Londrës, ndërkohë që është shpallur në kërkim bashkë-punëtori I tij.
Uniformat blu kanë arrestuar 32-vjeçarin Saimir Çullhaj, banues në Shijak, i dënuar më parë për “Trafikim të narkotikëve”, ndërsa në kërkim është shpallur një 47-vjeçar nga Durrësi.
Policia ka arritur të dokumentojë se këta 2 persona janë autorët e dërgimit të tre pakove, në një prej agjencive të postës së shpejtë, ku brenda tyre janë konstatuar tre armë zjarri automatik model 56, të çmontuara.
Pakot kishin si destinacion Mbretërinë e Bashkuar. Gjithashtu në momentin e kapjes së shtetasit Saimir Çullhaj, në trupin e tij u gjet dhe u sekuestrua një sasi prej 220 gramë lëndë e dyshuar si narkotike e llojit marijuanë “çokollatë”, ndërsa në banesën e 47 vjeçarit të shpallur në kërkim, policia gjeti 4.5 kg kanabis si dhe 32 bimë narkotike të kultivuara, transemton tch.
Për këtë rast u ngrit një grup hetimor special me përbërjen e gjithë agjencive ligj-zbatuese, ndërsa kontakt i vazhdueshëm është mbajtur edhe me shërbimet partnere. Zbulimi i kësaj tentative trafikimi të armëve luftarake, përmes aeroportit të Rinasit, vjen në një kohë kur policia ka shtuar masat anti-terror, pas disa sulmeve në Europë dhe kërcënimeve të vazhdueshme të ISIS.