Telegrafi

Zbulohet shtatorja e historianit Ali Hadri në kompleksin e UP- së

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami dhe kryetari i Lidhjes së Historianëve të Kosovës, Fehmi Rexhepi, në një ceremoni solemne zbuluan shtatoren e akademikut dhe historianit të shquar, Ali Hadri, në kompleksin e Universitetit “Hasan Prishtina” në Prishtinë.

Ministri Bajrami, me këtë rast, ka vlerësuar lartë figurën e dijetarit të shquar, Ali Hadri, duke thënë se, kontributi i tij për çështjen kombëtare është i jashtëzakonshëm.

“Është nder i rrallë për mua që në cilësinë e ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të marrë pjesë në një përvjetor të rëndësishëm, të njeriut të rëndësishëm, dijetarit, studiuesit, historianit dhe shkencëtarit të madh, Ali Hadri”, u shpreh ministri Bajrami.

Duke folur për punën e Ali Hadrit si pedagog në Degën e Historisë, ministri Bajrami tha se, kontributi i tij për themelimin, drejtimin dhe zhvillimin e Institutit të Historisë përbën një nga kulmet e përpjekjes së tij jetësore.

Ministri Bajrami vlerësoi lartë guximin intelektual, kombëtar e shkencor të profesor Ali Hadrit, për t’iu kundërvënë regjimit të atëhershëm përmes arsimimit dhe punës shkencore.

“Profesor Ali Hadri ishte i bindur se përmes arsimimit dhe punës së tij shkencore do të dëshmoheshin historia dhe vlerat tona kombëtare, si pjesë e vlerave universale njerëzore. Vendosja e shtatores së akademik Ali Hadrit është përjetimi më kuptimplotë i veprës dhe emrit të tij. Është moment krenarie dhe përjetimi për njerëzit e rrallë, nga të cilët kemi mësuar aq shumë për historinë dhe të kaluarën tonë”, tha ministri Bajrami.

Ndërsa, kryetari i Lidhjes së Historianëve të Kosovës, Fehmi Rexhepi tha se , në ditën e shënimit të 88- të vjetorit të lindjes, po inaugurohet kjo shtatore impozante e akademikut dhe profesorit të shquar, themeluesit të historiografisë dhe drejtorit të parë të Institutit të Historisë në Prishtinë. /Telegrafi/