Gjatë realizimit të aktiviteteve të rregullta në liqenin dhe shpellën Vrelo, zhytësit vendor e kanë vërejtur hyrjen e shpellës së re nënujore dhe kanë vendosur ta hulumtojnë zonën në të cilën gjendet. Hyrja nuk vërehet lehtë meqë është shumë e fshehur pas zonës shkëmbore përreth dhe është shumë vështirë për tu qasur sepse hapësira për hyrje është shumë e ngushtë, theksohet në informatën e klubit shpellor-zhytës „Vrelo“ dhe klubit zhytës „Aquatec”, transmeton Telegrafi Maqedoni.
– Edhe përkundër qasjes së vështirë arritëm ta pushtojmë shpellën nënujore në të cilën hapet një galeri e madhe e cila ndahet në dy drejtime, respektivisht dy kanale, ka deklaruar Goce Dimitrievski, zhytës shpellor i certifikuar nga Vrelo.
Zhytësit supozojnë se ekziston ndërlidhje reciproke me Vrelo, për shkak të afërsisë së dy shpellave nënujore. Ata konsiderojnë që ndonjëra nga kanalet e brendshme të cilat i kanë vërejtur gjatë ekspeditës mund të shpie pikërisht tek ndonjëra nga galeritë e Vrelo.
Shpellat nënujore paraqesin pasuri natyrore dhe joshin si vizitorë vendas ashtu edhe të huaj, ndërsa njëkohësisht sjellin edhe njohuri dhe rezultate të mëdha shkencore-hulumtuese. Shpellat nënujore janë shpesh burim i ujit të pastër. Prandaj uji në shpellën e re nënujore do të hulumtohet në mënyrë plotësuese përmes ekspeditave të mëtejme të zhytësve të „Aquatec“ dhe „Vrelo“, thuhet në këtë informatë./Telegrafi/