Site icon Telegrafi

Zbulohet shkaku i zhdukjes së gjallesave para rreth 3 milionë vjetësh në Tokë

Para 2.6 milionë vjetësh, një dritë jashtëzakonisht e madhe preku qiellin parahistorik dhe zgjati për javë ose muaj.

Ishte një supernova – një shpërthim i një ylli rreth 150 vjet dritë larg Tokës. Brenda disa qindra vjetësh, shumë kohë pasi që drita e pazakontë ishte venitur, cunami i energjisë kozmike nga ky yll i zhdukur ka mund të arrijë në planetin tonë dhe të mbushë atmosferën duke shkaktuar ndryshimet klimatike dhe duke shkaktuar zhdukjen masive të kafshëve në oqeane që përfshijnë llojet e peshkaqenëve me madhësi të një autobusi.

Shkencëtarët kanë përshkruar efektin e një supernove të tillë, dhe ndoshta më shumë se një, në jetën në oqeane, të përshkruar në punën në revistën Astrobiology.

“Unë kam qenë duke kryer hulumtime të tilla për 15 vjet dhe gjithmonë kjo ka qenë e bazuar në njohuritë e përgjithshme të Universit – se këto supernova duhej të kishin një ndikim në Tokë në një moment “, tha studiuesi Adrian Mellot, profesor i fizikës dhe astronomisë në Universitetin e Kanzasit.

“Këtë herë është ndryshe. Ne kemi dëshmi të ngjarjeve të afërta në një kohë të caktuar. Ne e dimë se sa larg ishin, kështu që ne mund të llogarisim se ato mund të ndikojnë në Tokë dhe t’i krahasojnë me ato që e dimë se ndodhën në atë moment – shumë më saktë”, shton ai.

Sipas Mellot, studimet e fundit që zbuluan depozitat e izotopeve të hekurit radioaktiv në fund të oqeanit japin dëshmi të pagabueshme të kohës dhe distancës së supernovës.

“Në mesin e viteve 1990, njerëzit thoshin: Kërkoni hekurin-60. Është një tregues, pasi nuk ka asnjë mënyrë për të ardhur ai në Tokë përveç përmes shpërthimit të një ylli. Sikur hekuri radioaktiv-60 të krijohej së bashku me Tokën, nuk do të ekzistonte për një kohë të gjatë. Andaj, duhej të “binte në formë shiu” në Tokë. Ka diskutime rreth asaj nëse ka pasur vetëm një supernova në afërsi ose në të gjithë zinxhirin. Kam prirjen të kombinoj – një zinxhir i madh shpërthimesh me një që ishte jashtëzakonisht i fortë dhe i afërt. Kur studioni mbetjet e hekurit 60, vini re një kërcim 2.6 milionë vjet më parë, por teprica është shpërndarë 10 milionë vjet më parë”, tregon Mellot.
Ekipi i Mellot pohon se ka dëshmi të tjera për një seri të supernovës në arkitekturën e Universit.

Pavarësisht nëse ka pasur një supernova ose seri, energjia që ka depozituar shtresa hekuri-60 në të gjithë botën, ka shkaktuar depërtimin e grimcave subatomike të njohura si muone në Tokë duke shkaktuar kancer dhe mutacione – veçanërisht në kafshë të mëdha.

“Përshkrimi më i mirë i muoneve do të ishte një elektron shumë i rëndë – por muoni është disa qindra herë më i rëndë se elektroni. Ata depërtojnë shumë vështirë. Nën kushte normale, shumë prej tyre kalojnë përmes nesh. Pjesa më e madhe kalon pa shkaktuar dëme, por rreth një e pesta e dozës së rrezatimit vjen nga një muon. Kur vala e këtyre rrezeve kozmike godet, këto muone shumëzohen me disa qindra. Vetëm një pjesë e vogël e këtyre muoneve do të ketë efekt, por kur numri është aq i lartë dhe energjia po ashtu është aq e lartë, ju do të keni një numër në rritje të mutacioneve dhe kancerit – ky do të ishte efekti kryesor biologjik. Ne vlerësojmë se shkalla e kancerit do të rritet 50 për qind për qeniet e madhësisë së njeriut, dhe sa më të mëdhenj që jeni, kjo do të jetë aq më keq. Për elefantin ose balenën, doza e rrezatimit rritet shumë më shumë,” tha Mellot.

Supernova 2.6 milion vjet më parë mund të shoqërohet me zhdukjen e llojeve të mëdha detare në kufirin midis periudhave gjeologjike të pliocenit dhe pleistocenit kur, sipas vlerësimeve, 36 për qind e specieve të kafshëve kanë vdekur.

Zhdukja u përqendrua te kafshët që jetonin në ujërat bregdetare, në të cilat organizmat e mëdhenj u prekën nga doza më të larta rrezatimi të muoneve.

Sipas Ekipit Shkencor të Mellot, dëmi i shkaktuar nga muonet u zgjerua qindra metra në thellësitë e oqeanit, duke u bërë më i madh. Mionet e energjisë së lartë mund të arrijë thellë në oqeane dhe të jenë shkaktarët më të rëndësishëm të dëmtimit biologjik me rritjen e thellësisë.

Si rezultat i rrezatimit të supernovës, kafshët e mëdha të detit mund të ishin dënuara me zhdukje.

“Një specie e zhdukur 2.6 milion vjet më parë ishte një megalodon, një lloj peshkaqeni sa madhësia e autobusit. Ata u zhdukën në atë periudhë, kështu që mund të spekulojmë se muonet kanë luajtur një rol”, shpjegon Mellot.

Ai shton se nuk ka asnjë shpjegim më të mirë për zhdukjen e llojeve të mëdha detare.

“Kjo mund të jetë njëri prej tyre. Ne e dimë se diçka ka ndodhur dhe tani ne mund të përcaktojmë më në fund se cilat do të ishin efektet e rrezatimit në atë mënyrë që nuk ishte e mundur më parë”, pohon Mellot. /kp/Telegrafi/

Exit mobile version