Telegrafi

Zbulohet qyteti 3 mijë vite i vjetër në provincën irakiane të Duhok

Arkeologët kanë zbuluar një qytet antik i cili daton që nga koha e Perandorisë Mittani rreth 3,400 vite më parë, në lumin Tigres në provincën Duhok të Irakut.

“Kemi gjetur një qytet antik 3,400 vjeçar në distriktin Semel të Duhokit, i cili daton me periudhën e Perandorisë Mittani”, bëri të ditur për reporterët gjatë së hënës Bekes Birifkani, drejtor në departamentin e artefakteve dhe kulturës në provincën e Duhok.

Ai tha se zona kishte qenë e populluar deri në vitin 1985, para se të bëhej ndërtimi i Digës së Mosulit në vitin 1990 kur e tërë zona u fut nën ujë.

Duke treguar në atë pjesë janë zbuluar mbi 2,000 zona historike deri më tani, Birifkani tha se të gjeturat nga gërmimet e këtij viti gjithashtu kanë rezultuar të suksesshme, transmeton Telegrafi.

“Edhe pse kanë kaluar mijëra vite, struktura dhe muret e qytetit të cilat janë disa metra të larta, kanë mbetur të pa shkatërruara”, shtoi tutje Birifkani.

Hassan Ahmed, kreu i Agjencisë për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore në Qeverinë Rajonale Kurde të Irakut Verior, tha se kanë intensifikuar punët që nga fillimi i këtij viti për shkak të uljes së nivelit të ujit në lumin Tigres.

“Me ndihmën e universiteteve gjermane nga Tubingen dhe Freiburg ne kemi vazhduar gërmimet tona në këtë zonë. Kemi gjetur mbetjet e shumë ndërtesave në këtë qytet antik, i cili daton nga periudha e Perandorisë Mittani. Qyteti antik të cilin e kemi zbuluar quhet Zahiko”, deklaroi Ahmed. /Telegrafi/