Një kockë legeni, që thuhet se i përkiste shenjtit të shekullit të IV-t që frymëzoi historinë e babagjyshit, mund të jetë realisht pjesë e kësaj legjende thonë shkencëtarët.
Studiuesit e Universitetit të Oksfordit testuan kockën në fjalë, që besohet se i përket Shën Nikollës (St. Nicholas), dhe dolën në përfundimin se ajo i përket saktësisht asaj periudhe historike.
Edhe pse ata nuk mundën ta provonin në mënyrë kategorike që kocka e legenit i përket shenjtit të krishterë, ekipi i shkencëtarëve tha se rezultatet vunë në dukje moshën e saj, shekullit të IV pas Krishtit. Kjo përkon me periudhën që besohet se ka jetuar edhe Shën Nikolla, i cili ka ndërruar jetë rreth vitit 343 pas Krishtit.
“Disa relike të tjera që ne po studiojmë rezultojnë sot të jenë të një periudhe më të vonshme nga sa e sugjeron dëshmia historike”, thotë bashkautori i studimit, profesor Tom Higham. “Ky fragment kocke, ndryshe nga të tjerat sugjeron se ne, me shumë mundësi jemi duke studiuar pikërisht eshtrat e vet Shën Nikollës”, shtoi ai.
Shën Nikolla, një prej shenjtëve më të nderuar të krishterë, thuhet të ketë jetuar në Myra, apo në Turqinë e kohëve të sotme. Sipas legjendës, ai ka qenë një person i pasur dhe i njohur gjerësisht për bujarinë e tij.
Peshkopi në fjalë u bë i famshëm për dhuratat që bënte në mënyrë të fshehtë, si për shembull vendosja e monedhave në këpucët e njerëzve që i linin jashtë derës së shtëpisë enkas për të.
Shpirti bujar i Shën Nikollës frymëzoi edhe historinë e Babagjyshit të festave të fundvitit, që identifikohet pikërisht si shpërndarësi i dhuratave në ditën e Krishtlindjes.
Shumica e eshtrave të tij janë ruajtur në Bazilikën e Shën Nikolës, në Bari të Italisë që prej vitit 1087, kur u varrosën në një dhomë të nëndheshme, nën një altar mermeri, por përgjatë viteve, fragmente të tyre janë kërkuar nga kishat anembanë botës.
Të paktën 500 fragmente kockash të Shën Nikollës besohet se ruhet tashmë në Venecia, transmeton tch.
Kocka e analizuar në Universitetin e Oksfordit, një fragment i legenit, zotërohet nga At Dennis O’Neill i kishës St Martha of Bethany, në Illinois të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.