Site icon Telegrafi

Zbulohet pllaka përkujtimore e Nekibe Kelmendit brenda selisë së LDK-së

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka bërë të ditur se sot kanë shpalosur pllakën dhe portretin përkujtimor të Nekibe Kelmendit brenda hapësirave të selisë Qendrore në LDK.

Abdixhiku në një postim në Facebook shkruan se zbulimi i pllakës përkujtimore është bërë në përvjetorin e trembëdhjetë të ikjes në amshim të Nekibe Kelmendit.

Lexoni të plotë shkrimin e tij:

Sot, në përvjetorin e trembëdhjetë të ikjes në amshim – së bashku me Kosovaren e me bashkëpunëtorë, shpalosëm pllakën dhe portretin përkujtimor të Nekibe Kelmendit brenda hapësirave të Selisë Qendrore në LDK.

Portreti i saj, i vendosur tashmë përballë Enver Malokut, e në varg me të tjerë që do të pasojnë, do të shërbejnë si rikujtim i fuqishëm për secilin që kapërcen nëpër korridorin hyrës të kësaj shtëpie të demokracisë. Se vepra e madhe e lëvizjes kombëtare për liri, pavarësi e demokraci, është bartur nga njerëz të mëdhenj me ëndrra e përkushtime të mëdha!

Nekibe Kelmendin, atdhetare dhe veprimtare e madhe të kauzës nacionale, ishte një emblemë identifikuese e një gruaje, e një nënë të pamposhtur që përkundër sfidave e dhimbjeve fë rënda nuk u gjunjëzua asnjëherë. Ajo ka gravuar emrin e saj të merituar jo vetëm si një nga aktivistet e para të LDK-së, por edhe si profil i një njeriu që shkriu veten në formimin dhe konsolidimin e shtetësisë e Kosovës.

Gjurmët, sakrifica dhe puna e Nekibe Kelmendit tashmë janë një udhërrëfyes për të gjithë ne që të ecim përpara. /Telegrafi/

Exit mobile version