Site icon Telegrafi

Zbulohet pllaka përkujtimore e heroit Shaban Shala

“Ky tubim yni sot, veç homazh për mësuesin dhe nacionalistin ka dhe merr konotacion e përmasë gjithmonësie e tejpamësie të një plejade e provinience, udhe e kahe, për progresin dhe interesin e kombit e të atdheut”, tha kryetari i Podujevës, Agim Veliu, duke folur në ceremoninë e organizuar me këtë rast.

Ai më tej shtoi se “mbi Besëlidhjen e Gjergj Kastriotit,të Lidhjes së Prizrenit e të Lidhjeve tjera shqiptare,por edhe Pavarësisë së Shqipërisë e të Flamurit, me besimin në Zot e Drejtësi, intelektualët patriotë ,sot e një shekull e gjysmë, e projektuan fatin e kombit me të djathtën e demokratiken, në bashkëjetesë e përparim me vendet e qytetërimit perëndimor”.

“Në kontekstet historike për gjatë kësaj kohe,pati përballje e konflikte,mohim e ndalim nga ekstreme të majta,brenda nesh e nga të tjerët;pati përndjekje e reprezalje,anatemime e ekzekutime,por, jo dëshpërim e as zmbrapsje.

Koha u dha të drejtë,idetë e programet me kombin e demokracinë mbijetuan e u afirmuan si legjitime e civilizuese”, tha Veliu.

Ndërsa simboli i rezistencës, veprimtari Adem Demaçi tha se Llapi heroik po ngre një përmendore për të përjetësuar edhe një herë, e shpresoj se edhe shumë herë tjera një burrë që diti çka është frika.

“Ai edhe gjatë kohës së burgut kur e qitnin të shetis në të madhe ju piskaste: ‘Hej more këtu është Shqipëri e nuk është Serbi” edhe pse i jepnin dajak ai prapë vazhdonte ashtu dhe më pas nuk e lejonin të dalë as të shetisë. Ai më pas foli edhe për aktivitetin patriotik të Shaban Shalës”, tha Demaçi.

Ndërsa kryetari i NDSH-së,Pashk Staka, tha se vuajtjet tona nuk kanë pas të ndalur gjatë shekujve. Ai përmendi disa ngjarje të cilat e kanë përcjell popullin shqiptar gjatë okupimit.

“Llapi u bëri rezistencë të gjitha etapave historike,ndërsa nga radhët e NDSH në Llap ai tha se ka pas aktivist të devotshëm, si: Sabit Kapiti,Nexhmi Sejdiu,Nuhi Gashi,Shaban Shala,Xhafer Meta etj”.

Në emër të familjes foli Ershela Shala, e cila tha se tha se “familja është krenare me heroin e kombit Shaban Shala dhe vëllezërit e tij të cilët vepruan për ideale të larta atdhetare.

Zbulimin e pllakës përkujtimore pranë varrit të heroit Shaban Shala e bënë bashkërisht kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, veprimtari Adem Demaç, Pashk Staka, ish-komandanti i UÇK-së, Rrustem Mustafa-Remi dhe Besnik Shala- djali i heroit Shaban Shala. /Telegrafi/
 

Exit mobile version