Telegrafi

Zbulohet pllaka e bazës së UÇK-së në hyrjen e objektit ku banonte babai i Fatmir Limajt

Në 24 vjetorin e rënies së Zahir Pajazitit, Edmond Hoxhës dhe Hakif Zejnullahut është zbuluar pllaka përkujtimore, në vendin ku kanë vepruar të gjitha strukturat e UÇK-së. Në kryeqendrën e Prishtinës, banesën e babait të Fatmir Limajt, u tha se janë bërë planet operative të UÇK-së për anë e kënd Kosovës.

Demir Limaj, duke u shprehur falënderues për vendosjen e kësaj pllake përkujtimore në hyrjen e banesës së babait të tij, tha se kanë vepruar në këtë banesë dhe shumë banesa e shtëpi tjera në Prishtinë.

“Sot 24 vite më parë është vrarë komandat Zahir Pajaziti, Edmon Hoxha dhe Hakif Zejnullahu. Kjo datë e ka rëndësinë e saj historike. Pikërisht në këtë hyrje në banesën e babës tonë kanë qenë gjitha strukturat e UÇK-së, të ilegales së asaj kohe ku kemi vepruar në këtë banesë dhe shumë banesa dhe shtëpi të tjera të Prishtinës. Koincidencë e kësaj është se këtu 50 metra më poshtë kanë qenë zyrat e UDB-së dhe pikërisht ata burra, ata heronj që nuk janë në mesin tonë kanë lëvizur në këtë hyrje ku kemi bërë planet operative të UÇK-së, anë e kënd Kosovës”, u shpreh ai.

Ndërsa, kryetari i OVL-UÇK-së, dega në Prishtinë, Fatmir Sopi tha se një bazë e tillë në qendrën e Prishtinës, ka treguar karakterin e UÇK-së.

“Jam i lumtur që mora pjesë në zbulimin e pllakës përkujtimore të njërës ndër bazat e UÇK-së në Prishtinë, sepse bazat e tilla në Prishtinë kemi pasur edhe shumë të tjera. Mirëpo një bazë e UÇK-së në kryeqytet në përudhë lufte, nën hunën e armikut dihet kur sekretariati i Punëve të Brendshme UDBA nuk i ka pasur as 500 metra nga këtu, atëherë është fuqizim i madh dhe tregon karterin e popullit të UÇK-së. Kazermat tona kanë qenë banesat e popullit tonë, odat tona, shtëpitë tona”, tha ai.

Sot janë bërë 24 vjet nga rënia heroike e komandantit të UÇK-së Zahir Pajaziti dhe bashkëluftëtarët e tij, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu./Telegrafi/