Telegrafi

Zbulohet një tunel nën Gjykatën e Lartë në Podgoricë, që çon në një banesë aty pranë

Tuneli i zbuluar i gërmuar nën Gjykatën e Lartë në Podgoricë të çon në një banesë përballë ndërtesës së gjykatës, konfirmoi ministri i Brendshëm malazez Filip Axhiq, i cili shtoi se apartamenti është në pronësi private.

Axhiq u tha gazetarëve se aksioni ishte duke u organizua për një kohë të gjatë dhe se dukej si filma aksion, dhe se ishte një sulm ndaj sistemit dhe shtetit, transmeton Telegrafi.

Depoja e Gjykatës së Lartë në Podgoricë është thyer përmes një tuneli nëntokësor që u zbulua mbrëmë, tha më herët kryetari i asaj gjykate, Boris Saviq.

Gjithashtu u tha gazetarëve se deri më tani nuk është vërtetuar se është vjedhur diçka dhe se do të duhen muaj për një kontroll të detajuar.

“Tuneli sekret i gërmuar në depo u zbulua aksidentalisht nga dy punonjëse evidentimit të inventarit dhe sendeve të depozituara”, tha ai.

Njëra prej tyre ndjeu një rrjedhë ajri të ftohtë dhe më pas të dyja gjetën një tunel të hapur në mur pas një vitrine, që duket sikur ishte ndërtuar prej kohësh.

Kryetari i Gjykatës së Lartë dyshon se personi që ka hapur tunelin ka tentuar t’i afrohet dhomës së paraburgimit, dhe se mund të ketë tentuar arratisjen.

Në depo mbahen në cilësinë e provës dokumente dhe objekte të veprave penale dhe rreth 9.5 ton drogë, nga të cilat dy ton kokainë dhe shtatë ton marihuanë.

Saviq theksoi se depoja nuk ruan kompjuterët e Do Kwon, tregtarit të arrestuar të kriptovalutave, i cili ishte në qendër të aferës para zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit, kurse kryeministri Dritan Abazoviq e lidhi atë me presidentin aktual Milojko Spajiq. /Telegrafi/