Telegrafi

Zbulohet një proteinë në kafe me efekt morfine

Coffee beans falling around young woman

Shkencëtarët brazilianë e kanë zbuluar një proteinë në kafe, e cila ka efekte të ngjashme me lehtësuesin e dhimbjes, morfinën, kanë deklaruar hulumtuesit në Universitetin Shtetëror të Brazilias (UnB) dhe korporatën shtetërore Embrapa.

Embrapa tha se divizioni i saj për gjenetikë dhe bioteknologji, në bashkëpunim me shkencëtarët e UnB, kishin zbuluar “fragmente proteinike të panjohura më parë” me efekte të ngjashme me morfinën që zotërojnë cilësi “analgjetike dhe paksa qetësuese”.

Testet e mëtejme në minj laboratorikë treguan se peptidet opioide, të cilat janë molekula biologjikisht natyrale, dukej se kishin efekt më të gjatë në minj sesa vetë morfina.

Embrapa tha se zbulimi ka “potencial bioteknologjik” për industrinë e ushqimit të shëndetshëm, transmeton koha.net dhe mund të ndihmojë gjithashtu në lehtësimin e stresit në kafshë të dedikuara për thertore.

Në vitin 2004, Embrapa arriti ta radhitë gjenomin funksional të kafesë, një hap ky i madh drejt përpjekjeve të kompanisë dhe UnB-së për t’i kombinuar gjenet e kafesë me qëllim të përmirësimit të cilësisë së kokrrës së kafesë. /Telegrafi/