Site icon Telegrafi

Zbulohet një ngjashmëri e çuditshme mes trurit të oktapodit dhe njerëzve

Prej kohësh dihet se oktapodët janë më të zgjuar se jovertebrorët (një kafshë që nuk ka një shtyllë kurrizore, të tilla si një artropod, molusk, anelid, coelenterate), dhe kërkimet e reja mund t’i kenë dhënë përgjigje pyetjes pse. Domethënë, këto qenie duket se kanë një analogji molekulare specifike me trurin e njeriut.

Si gjenomi i njeriut ashtu edhe ai i oktapodit përmbajnë një numër të madh “gjenesh të lëvizshme” ose transpozonësh, të cilët mund të vetë-kopjohen dhe të lëvizin rreth gjenomit. Edhe pse jo të gjithë transpozonët janë aktivë, ata konsiderohen të jenë materiali që drejton proceset evolucionare.

Ekspertët kanë zbuluar në një studim të ri se transpozonët e familjes LINE (Elementet bërthamore të ndërthurura të gjata) ndodhen në pjesën e trurit të oktapodit që kontrollon aftësitë njohëse, por është interesante se mund t’i gjejmë në të njëjtin vend në trurin e njeriut.

“Unë u hodha prej një karrige kur pashë një sinjal shumë të fortë të aktivitetit të këtij elementi nën një mikroskop në pjesën e lobit ku oktapodi ka një qendër të të mësuarit dhe aftësive njohëse, ashtu si në hipokampus te njerëzit”, tha biologia Giovanna Ponte nga Stazione Zoologica në Itali.

Hulumtimet e fundit kanë zbuluar se transpozonët LINE rregullohen me kujdes në trurin e njeriut dhe mendohet se janë të lidhura me të mësuarit dhe kujtesën, pjesërisht sepse janë më aktivë në hipokampus, ku kontrollohen proceset e të mësuarit, shkruan sciencealert.

Pas gjetjes së këtyre gjeneve në të njëjtin vend në trurin e dy llojeve të oktapodit, oktapodit të zakonshëm (octopus vulgaris) dhe oktapodit të Kalifornisë (octopus bimaculoides), ekspertët besojnë se kanë gjetur një arsye kryesore për inteligjencën e lartë të këtyre krijesave detare.

Edhe pse dihet që transpozonët përdorin mekanizma kopjimi molekular, studimi tregon se kjo mund të jetë diçka më domethënëse, pra se ka një lidhje të drejtpërdrejtë me kompleksitetin e sistemit nervor.

“Zbulimi i një elementi të familjes LINE, aktiv në trurin e dy llojeve të oktapodit, është shumë domethënës sepse mbështet idenë se këta elementë kanë një funksion specifik që shkon përtej kopjimit”, tha gjenetisti Remo Sanges nga Scuola Internazionale Superiore di Studi Avanzati në Itali.

Për më tepër, shkencëtarët besojnë se mund të shohim një shembull të evolucionit konvergjent – kur tipare të ngjashme zhvillohen në mënyrë të pavarur në specie krejtësisht të palidhura, duke shkaktuar të njëjtën përshtatje, që në këtë rast është aftësia njohëse superiore.

“Truri i oktapodit është funksionalisht analog me shumë karakteristika të trurit të gjitarëve. Kjo është arsyeja pse elementi LINE i identifikuar është shumë interesant për studimin e evolucionit të inteligjencës”, tha biologu Graziano Fiorito i Stazione Zoologica Anton Dohrn. /Telegrafi/

Exit mobile version