Studentja e Fakultetit Ekonomik që i dha fund jetës pasditen e së martës, duke pirë fostoksinë kishte lënë një letër lamtumire.
Ngjarja ndodhi rreth orës 17:15, në dhomën e konviktit nr.25 ku qëndroi gjatë verës në Qytetin Studenti, në Tiranë.
Viktima është 20-vjeçarja Ana Doko, nga Fieri. Ende nuk dihet me saktësi motivi që e shtyu vajzën drejt vetëvrasjes, ndërsa familjarët kanë mohuar që ajo të kishte pasur më parë probleme me depresionin.
Para se të konsumonte fostoksinën, 20- vjeçarja kishte shkruar një letër lamtumire, por pa sqaruar arsyen pse po vetëvritej.
“Jam lodhur nga jeta! Mos e kërkoni fajin askund…”, shkruante studentja, raporton “Panorama”.
Në fund i drejtohej motrës së saj më të vogël, së cilës i thoshte: “Amanet mamin dhe babin…”.
Pasi ka shkruar këtë letër, Ana u ka telefonuar prindërve të saj në Fier, duke u thënë se ndihej keq.
I ati dhe e ëma janë nisur me urgjencë drejt Tiranës, pasi e kanë kuptuar nga zëri se e bija kishte një problem shëndetësor dhe janë gjendur pranë saj para se ajo të ndërronte jetë.
Madje i ati ka qenë ai që i ka bërë frymëmarrje artificiale, deri në momentin që autoambulanca e qendrës shëndetësore të Qytetit Studenti e ka dërguar në urgjencën e QSUT-së.
Pak minuta pasi është futur në reanimacion dhe i është nënshtruar terapisë intensive, vajza ka ndërruar jetë.
Ndërsa motra e saj, nëpërmjet disa komenteve në rrjetin social “Facebook”, ka hedhur akuza për shërbimin mjekësor, duke thënë se, në rast se ambulanca nuk do të vonohej, ajo mund të shpëtonte.
Për vdekjen e Anës ka reaguar edhe mësuesja e saj, Donika Begaj, e cila thotë se ajo e familja duhen lënë të qetë.
“Ana shembullore në mësime dhe në sjellje u largua nga kjo jetë në moshën më të bukur, duke lënë në mes ëndrrën e saj, diplomimin. U prehsh në paqe Ana e bukur, nxënësja ime e dashur”, thotë ajo.