Në mbledhjen e fundit të Qeverisë shqiptare, është miratuar kontrata mes Agjencisë së Burimeve Natyrore dhe kompanisë “Albanides Energy” për kërkimin, zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në tokë në “Bllokun numër 8”, që përfshin verilindjen e vendit.
Sipas ekstraktit historik në Qendrën Kombëtare të Biznesit, “Albanides Energy” është regjistruar në Shqipëri në vitin 2010 dhe aktualisht ka përfaqësues ligjor zonjën Arta Danaj. Vet shoqëria është në pronësi të “Dinaric International Energy”, që sipas agjencisë “Bloomberg” është një kompani “offshore” në Ishujt Virgin, vend i njohur si parajsë fiskale. Të dhëna mbi aksionerët dhe bordin nuk ka.
Kontrata e dhënë nga autoritetet shqiptare për “Albanides Energy” është transferuar disa herë, që prej kohës së negocimit me AKBN-në, që ka nisur në vitin 2014, përpara se të miratohej nga qeveria kontrata përfundimtare, raporton Top Channel.
Kështu, marsin e një viti më parë “Reuters” raportoi se “Dinaric International Energy”, pronare e “Albanides Energy” ia ka shitur për 90 mijë dollarë aksionet dhe të drejtat që mund të përfitojë për kërkimin, zhvillimin dhe prodhimin e naftës në zonën e “Bllokut 8” në Shqipëri, një shoqërie kanadeze të quajtur “Columbus Copper”, e kuotuar në Bursën e Torontos. Shitja ka pasur si kusht marrjen e licencës deri në qershor të vitit 2015, por nëse palët gjenin akordin, ajo mund të rrinte në fuqi edhe nëse shkeleshin afatet.
Por skema që përfshin si “guackë” brenda njëra-tjetrës nuk ka përfunduar këtu. Në korrik të 2015-s, “Columbus Copper” ia ka kaluar aksionet “Energulf Resources”. Pjesë e kontratës së fundit, siç shihet edhe nga dokumentet, janë edhe të drejtat e kërkimit të naftës në “Bllokun numër 8” në veri të vendit.
Pyetja që lind është: Vendimi i qeverisë ia jep të drejtën për shfrytëzim “Albanides Energy”, “Dinaric International Energy”, “Columbus Copper” apo “Energulf Resources”?