Site icon Telegrafi

Zbulohet fotoja e portugezit që dyshohet se ekzekutoi biznesmenin në Shëngjin, çfarë dim deri tani për ngjarjen

Ka dalë në media fotoja e portugezit Ruben Saraiva, i cili dyshohet të jetë ekzekutori i biznesmenit Ardian Nikulaj më 19 prill në Shëngjin.

Policia bëri të ditur këtë të mërkurë se Ruben Saraiva, katër shtetas britanikë dhe shqiptar0-brituaniku Edmond Haxhia, organizuan dhe ekzekutuan biznesmenin Nikulaj.

Kujtojmë se, gjashtë persona kanë bashkëpunuar për të kryer vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj mesditën e 19 prillit brenda lokalit të tij në Shëngjin. Policia ka shpallur në kërkim katër britanikë, një shqiptar që ka porositur dhe financuar atentatin ku u ekzekutua 51-vjeçari dhe ekzekutorin portugez.

Në një konferencë për mediat, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku bëri me dije se vrasja e Ardian Nikulajt brenda lokalit të tij ‘Coral’ ka ndodhur për motive gjakmarrje.

Lexo po ashtu Në vrasjen e sipërmarrësit në Shëngjin u përfshinë një shqiptar dhe pesë të huaj

Porositësi dhe financuesi i vrasjes, mësohet se ka qenë Edmond Haxhia, një i afërm i familjes Lekstakaj me të cilën Nikulaj ishte në gjakmarrje që prej vitit 1996. Haxhia ishte kthyer në Shqipëri prej disa muajsh.

Si ndodhi vrasja?

Ekzekutori i 51-vjeçarit, portugezi Ruben Saravia pasi kreu vrasjen është larguar nga vendi i ngjarjes ka humbur gjurmët në fshatin Gjadër pranë fshatit ku banonte familja Haxhia që dyshohet se e ka strehuar dhe e ka ndihmuar.

Portugezi ka furnizuar motorin e tij në një pikë karburanti në superstradën Lezhë-Shkodër. Kjo është zbuluar pas këqyrjes së kamerave të sigurisë dhe policia ka shoqëruar pyetur punonjësin e karburantit i cili ka komunikuar me drejtuesin e motorit.

Lexo po ashtu Pamje të rënda, ky është momenti kur qëllohet me breshëri plumbash biznesmeni në Shëngjin

Ai ka qenë i kamufluar me të njëjtat rroba dhe ka folur në gjuhë të huaj në momentin kur ka kërkuar për të furnizuar mjetin dhe më pas është larguar.

Motori dyshohet të jetë blerë nga një vajzë në qytetin e Shkodrës, por për shkak të sekretit hetimor nuk jepen detaje.

Diçka e tillë pritet të ndihmojë hetuesit për të shkuar në gjurmët e autorit. Policia është rikthyer sërish në zonën e Gjadrit dhe Kakarriqit, duke bërë kontrolle në disa banesa në kërkim të gjurmëve të autorit.

Kryesisht kontrollet janë përqendruar në banesat e disa personave të cilët kanë lidhje me fisin Lekstakaj. /Telegrafi/

Exit mobile version